Live

Katër kryetarët e rinj në veri marrin detyrën, sfidë qasja në objektet komunale

15:01 / 25 Maj 2023

Nga Kosova Live

Është betuar edhe kryetari i ri i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Betimi i Hetemit është kryer në shkollën “Kadri Bistrica” në Bistricë.

Ai është kryetari i fundit që mori detyrën, pasi Atiq, Zeqiri e Peci tashmë kanë kryer procedurat e betimit.

Ai tha se detyrën do ta kryejë nga një zyrë në fshatin Bistricë, shkruan kosovalive.net.

Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, pas betimit po ashtu ka bërë të ditur se detyrën si udhëheqës i Komunës do ta ushtrojë nga objekti i zyrës së komuniteteve që gjendet në fshatin Lipë.

Ai tha se nuk e di se kur do të mund të ketë qasje në objektin kryesor të komunës, që shfrytëzohet edhe nga strukturat paralele serbe.

Peci këtë e ka bërë të ditur në një adresim për media pas ceremonisë së betimit.

“Në zyrën e Komuniteteve në fshatin Lipë. Nuk është çështje që varet prej meje. Është Qeveria e Republikës së Kosovës që vendosë, ne patjetër se do ta respektojmë”, u shpreh shkurt ai.

Ndërkaq, kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri tha se detyrën e tij do ta kryej me përkushtim dhe se do të punojë për të gjithë qytetarët pa dallim.

Ai tha se të gjitha objektet që u takojnë qytetarëve dhe komunës, do të jenë në posedim të të gjitha dikastereve të drejtuara nga kabineti i tij.

“Uroj që të jemi bashkë në punët dhe përgjegjësit tona, të jemi sa më të fokusuar që të zbatojmë ligjin e Republikës së Kosovës në tërë territorin e komunës së Zubin Potokut. Faleminderit për besimin. Atë do të ua kthejmë me punë deri në fund”, tha ndër të tjera ai.

“Do të shkojmë në komunë të Zubin Potokut. Të gjitha objektet që u takojnë qytetarëve dhe komunës, do të jenë në posedim të të gjitha dikastereve të drejtuara nga kabineti im”, tha ai pas betimit.

Të premtën e kaluar detyrën e mori edhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

Ai betimin e bëri në ndërtesën e komunës së Mitrovicës së Veriut.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Shpërndaje në

U Kopjua