Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha se për Bashkimin Evropian është thelbësore të ketë një partner me të cilin mund të bisedohet për hapat konkretë drejt integrimit, duke theksuar nevojën urgjente për formimin e qeverisë së re.
Ai shtoi se Kosova ka mundësi reale për t’u afruar me BE-në, por theksoi se krahasimet me vendet fqinje nuk ndihmojnë në këtë drejtim.“
“Ju mund t’i bëni gjërat dhe mund ta çoni vendin tuaj drejt Bashkimit Evropian. Dhe dua të them që argumentet se një vend fqinj është duke bërë edhe më keq, nuk e afrojnë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian. Tani, ajo që presim shumë nga Kosova është, së pari, të kemi një partner. Po, kemi një partnere – Presidenten – por na nevojitet edhe pushteti ekzekutiv. Pra, kemi nevojë për një partner me të cilin të flasim për hapat e ardhshëm, si të lëvizim më afër Bashkimit Evropian. Shpresojmë shumë që qeveria të formohet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai, njofton EO, transmeton Klankosova.tv.
Ai rikujtoi se pozicioni i BE-së për zhvillimet në veri është i qartë dhe se heqja e masave ndaj Kosovës ka filluar, por se duhet bashkëpunim i ngushtë për të ecur përpara.
Mbyllja e institucioneve në veri. Sërish, Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë pozicionin e tij – në mënyrë private, zyrtare dhe publike. Masat ndaj Kosovës. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kallas, ishte këtu vetëm para disa ditësh dhe ajo njoftoi se heqja graduale e masave kundër Kosovës ka filluar. Por, për të ecur përpara, na duhet qartësisht një bashkëpunim shumë i mirë dhe i ngushtë me autoritetet këtu,” tha ai.
Orav foli edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke theksuar se kjo është një temë që duhet trajtuar seriozisht dhe pa vonesa.
“Një temë për të cilën të gjithë flasin, por që nuk është aq e preferuar për t’u përmendur nga politikanët këtu në Kosovë, është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Por qëndrimi i BE-së është sërish i qartë: duhet të bëhet. Duhet të bëhet dhe është më mirë të bëhet më herët sesa më vonë, për të ecur përpara. Mesazhi im është se ne në BE jemi të gatshëm të ecim përpara dhe shpresojmë shumë që edhe Kosova do të bëjë të njëjtën gjë”, tha Orav.
Këto deklarata, Orav I bëri në konferencën“Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje” të organizuar nga Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike.