Live

Kërkohet paraburgim prej 30 ditësh ndaj të akuzuarit për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan

12:34 / 25 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Prokuroria Speciale, pasi ka vlerësuar se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore, ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit Lj.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale:

– Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese,

– Rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare,

– Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm,

– Sulm ndaj personit zyrtar.

Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Lj.M. dyshohet se më 29.05.2023, para objektit të komunës së Zveçanit, në bashkëkryerje edhe me të dyshuar të tjerë ka sulmuar me gurë, bombë molotov dhe armë pjesëtarët e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarët që kanë raportuar për ngjarjen.

Gjatë zhvillimit të hetimeve dhe bastisjes në shtëpinë e të pandehurit, prokuroria ka bërë të ditur se janë siguruar prova materiale si një telefon, uniforma të ndryshme ushtarake, dy USB, dhe një micë me mbishkrim me motive nacionaliste, me të cilat, konfirmohen veprimet inkriminuese e të pandehurit në ditën kritike.

Prokuroria Speciale, garanton qytetarët e vendit, se mbetet e përkushtuar në hetimin e plotë dhe ndjekjen e të gjithë kryerësve të këtyre veprave penale.

Shpërndaje në

U Kopjua