Ushtarët e KFOR-it ditëve të fundit kanë kryer patrullime të shtunën në vijën kufitare Kosovë – Serbi. Sipas njoftimit të KFOR-it, aktivitetet e tilla ndihmojnë në promovimin e sigurisë për të gjitha komunitetet lokale si dhe konsolidimin e stabilitetit rajonal.
Gjatë ditës së djeshme, ushtarët amerikanë të caktuar në Komandën Rajonale të Lindje të misionit KFOR, i cili drejtohet nga NATO, kryen patrullim brenda komunës së Leposaviqit.
Kjo u bë e ditur nga KFOR-i në një postim të hënën në Facebook.
Ky patrullim u tha se është pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, që ka për qëllim garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, si dhe garantimin e lirisë së lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.
KFOR-i është ndërhyrësi i tretë në rast emergjence, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të EULEX-it, me të cilët bashkëpunon ngushtësisht për të garantuar stabilitetin dhe sigurinë.
Gjatë ditës së hënë edhe ushtarët letonezë të KFOR-it të kryen një patrullë rutinore brenda komunës së Zubin Potokut.
Sipas njoftimit të NATO-s, patrullat janë një nga disa aktivitete që KFOR-i kryen në baza ditore, në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën.
Dikur rreth 50.000, sot 4.443 paqeruajtës të misionit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), KFOR, vazhdojnë misionin e tyre në Kosovë.
Trupat e KFOR-it, që janë nga 27 shtete të botës, kanë për mandat që të ofrojnë mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Mandati i tyre buron nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar më 10 qershor 1999, një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes Teknike të Kumanovës.
Kjo marrëveshje parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare. Ajo u nënshkrua midis KFOR-it dhe autoriteteve të ish-Jugosllavisë, duke i dhënë fund bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe.
Numri i ushtarëve të KFOR-it në Kosovë ndër vite është zvogëluar, pas përmirësimit të situatës në veri.
Por, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës në fund të majit, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka njoftuar për rritjen e numrit të trupave, duke shtuar se numri i tyre mund të rritet edhe më shumë, për të qetësuar dhunën në veri