Live

KFOR pas lejes që ia dha FSK: Autorizimi është dhënë në përputhje me autoritetet e Komandantit të KFOR-it

12:06 / 29 Korrik 2025

Nga Kosova Live

KFOR ka reaguar pas lejimit të FSK’së për të shkuar tek Liqeni i Ujmanit për kërkimin e 33 vjecarit i cili po kërkohet tash e tri ditë, raporton Periskopi.

Në një njoftim në Facebook, kanë thënë se është e kushtëzuar kërkesa dhe paralajmërimet specifike të vendosura nga KFOR-i, të cilat gjithashtu do të ofrojnë siguri gjatë gjithë operacionit.

Njoftimi i plotë:

Sot, më 29 korrik 2025, Komandanti i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, Gjeneral Major Enrico Barduani, autorizoi Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) të vendosë ekipe Kërkim-Shpëtimi (SAR) në zonën e liqenit Ujman/Gazivoda.

Autorizimi, bazuar në arsye humanitare, është dhënë në përputhje të plotë me prerogativat dhe autoritetet e Komandantit të KFOR-it, për të maksimizuar përpjekjet e vazhdueshme për të lokalizuar dhe rikuperuar një burrë 33-vjeçar që dyshohet se është mbytur në liqen disa ditë më parë. Ai është i kushtëzuar nga kërkesat dhe paralajmërimet specifike të vendosura nga KFOR-i, të cilat gjithashtu do të ofrojnë siguri gjatë gjithë operacionit.

Përdorimi i ekipeve të Kërkim-Shpëtimit të FSK-së bie nën mandatin origjinal të FSK-së, i cili përfshin mbështetjen për komunitetet lokale, në përgjigje të fatkeqësive natyrore, përmes operacioneve të kërkim-shpëtimit.

Ndërkohë, KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

Shpërndaje në

U Kopjua