Live

Koci godet shtetin për mosveprim ndaj arrestimeve të shqiptarëve në Serbi: Të ndalet bashkëpunimi

10:41 / 12 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Avokati Arianit Koci ka reaguar sërish rreth arrestimit të ish-policit të Kosovës, Abnor Spahiu nga ana e Serbisë.

Sipas Kocit, Serbia në vend që t’i arrestojë organizatorët e sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, po i përndjek policët dhe ish-policët e Kosovës. Lidhur me këtë, ai thotë se shteti serb nuk po kërkon drejtësi por po bënë hakmarrje politike.

“Radoiçiqi dhe terroristët tjerë që sulmuan në fshatin Banjska dhe vranë policin Afrim Bunjaku – të lirë në Serbi. Policët që e ndalën sulmin – në kërkim! Në vend që Serbia t’i arrestojë organizatorët e sulmit, po i përndjek policët dhe ish-policët e Kosovës. Po i godet njerëzit që e kanë ruajtur rendin juridik të Kosovës, dhe kanë shpëtuar jetë – të shqiptarëve dhe serbëve, nga aktivitetet terroriste. Siç po shihet, Serbia nuk po kërkon drejtësi. Po bën hakmarrje politike. Dhe këtë po e bën haptazi”,  shpreh Koci, transmeton Klankosova.tv.

Sa i përket arrestimit të ish-zyrtarit policor Spahiut, Koci thotë se është një kidnapim politik, i kryer nga një shtet që po sillet si armik.

Tutje, avokati shton se shteti ynë nuk po merr asnjë masë konkrete lidhur me arrestimet e shqiptarëve dhe ndalimet e tyre nga autoritetet serbe.

“Rasti i fundit – ndalimi i qytetarit, ish-policit Arbnor Spahiu – nuk ka të bëjë fare me ndonjë procedurë ligjore. Është një kidnapim politik, i kryer nga një shtet që po sillet si armik. Nuk ka asnjë provë. Asnjë bazë ligjore. Ka vetëm një mesazh që po tentohet të dërgohet me forcë: “Kush e mbron Kosovën – do të ndëshkohet.” Dhe si përgjigjet Kosova përballë kësaj? Me një deklaratë të vetme: “Shmangni kalimin nëpër Serbi.” Kaq. Asnjë masë konkrete. Asnjë reagim serioz. Asnjë sinjal që shteti i del në mbrojtje qytetarit të vet. Kjo nuk është mbrojtje. Nuk është diplomaci. Është nënshtrim institucional”, ka shkruar Koci.

“Kur një shtet ndalon qytetarët e tu pa bazë ligjore, e godet shtetësinë – bashkëpunimi ndalet. Pikë. Prandaj, duhet shqyrtuar pezullimi i menjëhershëm i: Linjave tokësore, komunikimit diplomatik dhe marrëveshjeve teknike Sepse nuk ka fqinjësi normale, kur policët që mbrojtën rendin – përndiqen, dhe terroristët – janë të lirë. Kur persekutohen shtetasit kosovarë”.

“P.S. Me logjikën që po ndjek Serbia – i fundit që duhet të përfundojë në burg është polici apo ish-polici. Sepse ai ka vepruar me urdhër të shtetit të Kosovës, dhe në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës”.

Shpërndaje në

U Kopjua