Tirana mikpriti sot Konferencën e 28-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Kartës së Adriatikut (SHBA-A5).
Konferenca u bashkëkryesua nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA të Shqipërisë, Arben Kingji, shefi i Shtabit të FA të Bosnjë-Hercegovinës Gojko Knezevic dhe komandanti i Komandës Amerikane në Evropë, gjeneral Alexus G. Grynkewich.
Në fjalën e tij, gjeneral Grynkewich tha se Bosnjë-Hercegovina dhe Shqipëria, kanë treguar udhëheqje të vërtetë në rajon, shkruan ATSH.
Ai iu bëri thirrje dy vendeve që të vazhdojnë dhe të tregojnë angazhim për çuarjen përpara të sigurisë dhe stabilitetit nga të cilët të gjithë përfitojnë.
Grynkewich tha më tej se “SHBA-Karta e Adriatikut është një forum i pazëvendësueshëm për të vazhduar dialogun strategjik drejt një Evropë të lirë, të sigurt dhe të begatë”.
“Marrëdhëniet e qëndrueshme të krijuara përmes Programit të Partneritetit Shtetëror janë jetike për sigurinë evropiane”, tha ai.
I ndalur tek nënshkrimi i deklaratës së përbashkët gjatë konferencës, Grynkewich tha se ky “dokument riafirmon angazhimin tonë për një vizion të përbashkët për Evropën Juglindore dhe thekson rëndësinë e koordinimit të ngushtë për sigurinë rajonale”.
Gjatë fjalës së tij gjenerali amerikan tha se “duhet të punojmë së bashku që shpenzimet për mbrojtjen të shndërrohen në aftësi të vërteta”.
“Ndërsa kombet tona rrisin shpenzimet për mbrojtjen dhe bëjnë hapa të mëdhenj në modernizimin ushtarak, ne duhet të punojmë së bashku për të siguruar që këto investime të shndërrohen në aftësi të vërteta”, theksoi ao.
“Kjo kërkon përqendrim të vazhdueshëm në përmirësimin e ndërveprueshmërisë, ndërtimin e gatishmërisë dhe zhvillimin e marrëveshjeve mbështetëse. Pas dëgjimit të të gjitha diskutimeve optimiste sot, jam i bindur se mund t’i arrijmë këto qëllime”, u shpreh Grynkewich.
Gjenerali amerikan tha se grupi i punës për zbatimin ka një program pune rigoroz për vitin e ardhshëm për të siguruar që të përmbushim kërkesat e së nesërmes.
“Teksa ecni para, dijeni se nuk jeni vetëm në përballimin e këtyre sfidave. Ju mund t’i drejtoheni kolegëve tuaj, aleatëve dhe partnerëve tuaj të SHBA-Kartës së Adriatikut dhe së bashku do të përqafojmë një të ardhme të sigurt, të qëndrueshme dhe të begatë”, u shpreh ai.