Live

Konjufca: Dialogu ndodhet në një qorrsokak që s’po shoh rrugëdalje, Banjska gozhda e fundit në arkivol

12:48 / 09 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ndodhet në një qorrsokak e për të cilin ai nuk po sheh rrugëdalje. Sipas tij është shteti fqinj ai që i ka kontribuar këtij qorrsokaku me veprimet e bëra, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, Kryeparlamentari Konjufca tha se me sulmin terrorist në Banjskë, dialogut i është vënë edhe gozha e fundit e arkivolit.

“Unë konsideroj që sa i përket përspektivës së dialogut, dialogu ndodhet tërësisht në një qorrsokak, prej të cilit s’po shoh shumë rrugëdalje. Këtij qorrsokaku i ka kontribuar Serbia me veprimet e veta. Mendoj që dialogu në formatin qysh ka qenë prej vitit 2011, e ka pas arkivolin me 24 shtator të vitit të kaluar, me sulmin terrorist në Bansjkë, sepse informatat që i posedon edhe Bashkësia ndërkombëtare, tregojnë qartë se ky grup i madh kriminal e ka pasur mbështetjen prej Serbisë”.

“Atyre i është ofruar logjistika, dhe krejt mbështetja shtetërore, për me ushtru ata, për me i marrë armët dhe konsideroj që për këtë arsye është shkatërruar edhe minimumi i mirëbesimit që kërkohet ta ketë një proces i negociatave. Mendoj që ajo që ndodhi në Banjskë ishte gozhda e fundit në arkivolin e dialogut të Brukselit që kishte filluar në vitin 2011”, tha Konjufca para gazetarëve.

Konjufca tha se ndërkombëtarët duhet t’i trajtojnë të dyja vendet njësoj, por sipas tij ata deri tani kanë mbyllur sytë në veprimet e Serbisë, dhe janë treguar të njëanshë.

“I takon bashkësisë ndërkombëtare të jetë më e përcaktuar se çka po dëshiron, nëse dëshiron palë të barabarta në dialgo si dy shtete, nëse dëshiron dhe ende mendon që principi i marrëveshjes së Ohrit me funksioni palët si shtete sovrane, ashtu siç shkruan, atëherë Kosova është e gatshme, a nëse don me i mbyll sytë e mos me reagu, pasi edhe bllokimi i fundit i pikave kufitare u dha nga shteti serb, e s’pati asnjë reagim nga Brukseli. Jemi të vetdijshëm dhe të qartë se bashkësia evropiane është e njëanshme. Duhet drejtim i ri”, tha Konufca.

Shpërndaje në

U Kopjua