Live

Konjufcën e kishte propozuar vetë për kryeparlamentar, Kurti as nuk e uroi Bashën

19:56 / 27 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Lideri i Vetëvendosjes nuk e uroi Dimal Bashën kryeparlamentar. Albin Kurti s’e tha asnjë fjalë as pas seancës, as në rrjetet e tij sociale. Jo veç Kurti, por edhe shumë figura kyçe të kësaj partie heshtën. Bile, Basha ishte ‘fitili’ që shkaktoi dorëheqjen e Liburn Aliut nga pozita e ministrit.

Derisa për Dimal Bashën ‘çele guri gojën’, Albin Kurti ish kryekuvendarin, Glauk Konjufca, e kishte propozuar vet për këtë pozitë, raporton Klankosova.tv

Në vitin 2019, më 26 dhjetor kur u zgjodh Konjufca në krye të Kuvendit,, ishte Kurti ai i cili në emër të Vetëvendosjes, e propozoi.

“Propozimi ynë për kryetar të Kuvendit të Republikës është deputeti Glauk Konjufca”.

Edhe herën e dytë, në mars 2021, emri i Konjufcës u hodh në votim dhe i njëjti u zgjodh.

Atë kohë, Kurti shkurt pati deklaruar për kryeparlamentarin, nga i cili priste ftesën për formimin e Qeverisë.

“Tash e kemi Glauk Konjufcën kryetar të Kuvendit dhe ushtrues të detyrës të Presidentit. Unë pres prej tij të më sjellë ftesën për formimin e Qeverisë si mandatar i ardhshëm.”, kishte deklaruar Kurti më 22 mars 2021, transmeton Klankosova.tv

Konjufca ishte konsideruar i duhur për këtë pozitë edhe sivjet nga disa deputetë të Kuvendit, si propozim që do të kalonte, ndërsa ky institucion ishte bllokuar te emri.

Ai ka qenë i afërt vazhdimisht me kryetarin e partisë dhe pati deklaruar se raportet mes tyre janë të fuqishme, si dhe mes tyre s’kanë pasur asnjë kontradiktë për mënyrën se si duhet të ecet përpara.

Ndryshimi i qasjes me Bashën, edhe pse ky i fundit jo rrallëherë ka ‘bërtitur’ në emër të VV-së, duke i sulmuar të tjerët, pritet të konfirmohet nëse është sinjal i krisjeve brenda partiake.

Shpërndaje në

U Kopjua