Live

KQZ`ja jep tender kompanisë së vëllait të shefit të stafit të kryeministrit Kurtit, Luan Dalipit (Dokument)

12:06 / 30 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Kompania Management & Development Associates (MDA), e cila dikur ishte në pronësi të Luan Dalipit, shef i stafit të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe që tani figuron në pronësi të vëllait të tij, Driton Dalipi, ka fituar një kontratë publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Sipas njoftimit zyrtar të publikuar më 28 korrik 2025 nga KQZ, kompania MDA është shpallur fituese e tenderit për realizimin e video dhe radio spoteve për edukim dhe informim për zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025 në Republikën e Kosovës. Kontrata, me numër prokurimi 320-25-5829-2-2-1, është nënshkruar me vlerën 13,979.98 euro.

MDA ka fituar tenderin përmes një procedure të hapur, ku janë pranuar gjithsej katër tenderë, të gjithë të vlerësuar si të përgjegjshëm. Oferta e MDA-së ishte më e ulëta ndër konkurrentët, me çmime të tjera që shkonin deri në 19,851.00 euro, shkruan Periskopi.

Kompania MDA është e njohur për përfshirje të rregullt në kontrata me institucione shtetërore për realizimin e fushatave informative, trajnimeve apo projekteve të komunikimit publik.

MDA po ashtu është licencuar për tregti me energji elektrike, një sektor që ka ngjallur shumë reagime për shkak të rritjes së çmimit nga Qeveria Kurti. Dalipi para se të përfshihej në Vetëvendosje, është akuzuar nga Prokuroria për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, për tu shpallur i pafajshëm më vonë.

Arsyeja që akuzohej Dalipi ishte që përmes ish-zyrtarit të MTI-së Xhemajl Syla si udhëheqës i Divizionit për mbështetje të bizneseve dhe zhvillimeve regjional në Ministrinë Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka keqpërdorur informatën zyrtare me qëllim të përfitimit e përparësisë për kompaninë “Menagment Development Association” (MDA) e cila ka ofertuar në tenderin, sipas projektit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian, në vlerë prej dy milionë euro.

Shpërndaje në

U Kopjua