Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, sapo ka lëshuar një deklaratë për të shtënat në kampusin e shkollës në Orebro, duke thënë se “është një ditë shumë e dhimbshme për të gjithë Suedinë”.
“Lutjet e mia janë me ata që janë prekur dhe të afërmit e tyre. Lutjet e mia janë gjithashtu me të gjithë ata të cilëve dita normale e shkollës iu zëvendësua me terror”.
“Të jesh i mbyllur në një klasë me frikë për jetën tënde është një makth që askush nuk duhet ta ketë”, thotë ai në një postim në X.
Kristersson thotë se qeveria është në kontakt të ngushtë me policinë dhe po monitoron zhvillimet.
“Operacioni është ende në vazhdim dhe është e rëndësishme që publiku të ndjekë informacionin nga policia. Unë u bëj thirrje njerëzve që të lejojnë policinë të punojë pa u shpërqendruar në mënyrë që të hetojë se çfarë ka ndodhur dhe si mund të ndodhin këto krime të tmerrshme”, ka thënë Kristersson, shkruan BBC.