Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, rreth certifikimit të Listës Serbe.
Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu ka përkrahur vendimin e Supremes duke shtuar se zhvillimi demokratik i vendit matet me respektimin e lirive dhe funksionimin e drejtësisë për të gjithë qytetarët pa dallim.
Postimi i plotë:
Gjykata Supreme ka marrë vendim për të urdhëruar KQZ-në të certifikojë Listën Serbe, duke hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Zhvillimi demokratik i një vendi nuk matet me numrin e votave që fiton, por me respektimin e lirive dhe funksionimin e drejtësisë për të gjithë qytetarët, duke përfshirë edhe komunitetet pakicë. Vendimi i Gjykatës Supreme tregon edhe një herë se shoqëria kosovare, pavarësisht veprimeve e politikave ditore, tensioneve politike, ka arritur të ndërtojë disa standarde që garantojnë ruajtjen dhe zhvillimin e demokracisë.
Integriteti zgjedhor dhe e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur janë standardet bazë të një vendi demokratik.