Kryeministri Albin Kurti ka thënë se viti 2024 është “certifikata e suksesit” e Ndërmarrjes Publike “Ibër-Lepenc”.
Kurti ka thënë se kjo ndërmarrje arriti ta menaxhojë në mënyrë të shkëlqyeshme dëmin që u shkaktua nga sulmi 29 nëntorit dhe se pritet ta përmbyllë vitin me 1.6 milion euro fitim neto, shkruan Reporteri.net.
“2024-ta është certitikata e suksesit e Ndërmarrjes Publike “Ibër Lepenc”. Kjo ndërmarrje përveçse arriti ta menaxhojë në mënyrë të shkëlqyeshme dëmin e shkaktuar nga sulmi terrorist i 29 nëntorit dhe ta rehabilitojë plotësisht brenda një muaji kanalin e dëmtuar, ajo vitin pritet ta përmbyll me rreth 1.6 milionë euro fitim neto nga 2.9 milionë euro humbje sa ishin regjistruar në fund të vitit 2021”, ka shkruar Kurti.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë sot se kjo Ibër Lepenci është shndërruar në ndërmarrje fitimprurëse në vitin 2022, pas së paku 7 vitesh operim me humbje.
“Ibër Lepenci u shndërrua në ndërmarrje fitimprurëse që nga viti 2022, dhe pritet të ketë fitim edhe më të madh më 2024, pas së paku 7 vitesh me humbje.*”, ka shkruar Rizvanolli, duke shtuar se shifrat janë preliminare.