Live

Kurti bëri homazhe te varri i heroit dr. Lec Lecit, në 26-vjetorin e rënies së tij

14:59 / 24 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Pas aktiviteteve në shënim të përvjetorit të rënies së heroit, rreshter Afrim Bunjaku, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe pranë varrit të heroit dr. Lec Leci-Gradica, në varrezat e dëshmorëve në Marinë të Skenderajt.

Në 26-vjetorin e rënies, dr. Lec Leci u përkujtua dhe u vlerësua nga kryeministri Kurti për shërbimin dhe sakrificën e tij gjatë luftës së fundit në Kosovë, me ndihmën e tij profesionale si pjesëtar i Brigadës 114 – Fehmi Lladrovci, në Zonën Operative të Drenicës, kuadri mjekësorë.

Ai, si ndër mjekët e parë të Drenicës, u doli në ndihmë ushtarëve të UÇK-së, duke i ofruar ndihmë mjekësore gjatë operacioneve ushtarake që ndërmerrnin ndaj forcave okupuese, derisa duke parë që nevojat shtoheshin, me ndihmën e familjes së tij dhe të bashkëvendëseve, themeloi Spitalin Ushtarak në Gradicë, ku u kryen shumë intervenime nga të gjitha fushat mjekësore.

Doktori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lec Leci, ra heroikisht më 24 shtator të vitit 1998 në krye të detyrës, duke ndihmuar për shërimin e qytetarëve të plagosur në bjeshkët e Qyqavicës.

Shpërndaje në

U Kopjua