Live

Kurti fton qytetarët serbë nesër të diskutojnë për përfitimet që do kenë nga hapja e Urës së Ibrit

14:52 / 07 Gusht 2024

Nga Kosova Live

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas protestës së sotme të serbëve lokalë në Mitrovicën e Veriut, të cilët kanë kundërshtuar hapjen për qarkullim të Urës së Ibrit, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se Komuna e Mitrovicës së Veriut do të mbajë nesër takim në orën 11:00 me temën “Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”.

Protesta e mbajtur sot në Mitrovicë të Veriut përfundoi pa asnjë incident. I falënderoj institucionet e sigurisë që garantuan mbarëvajtjen e qetë të saj. Protestat janë e drejtë demokratike të cilën e gëzojnë dhe mund ta ushtrojnë të gjithë qytetarët e Republikës sonë, pa dallim. Komuna e Mitrovicës së Veriut nesër prej orës 11:00, në hapësirat e Kuvendit Komunal, organizon takim dhe bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale me temën “Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile“, shkroi ai.

Kryeministri Kurti ka ftuar qytetarët e komunitetit serb që t’i bashkohen diskutimit, e që sipas tij, do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit institucionalë dhe institucionet e vendit.

I ftoj bashkëqytetarët tanë të komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit.  Për shumë gjatë Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Qeveria e Republikës së Kosovës në krye me kryeministrin, Albin Kurti, po insiston se Ura e Ibrit në Mitrovicë, duhet të hapet. Por, për këtë nuk po gjen mbështetje te aleatët ndërkombëtarë, të cilët qartazi thanë se nuk e përkrahin ndryshimin e statusit të kësaj ure.

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka deklaruar të martën se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas deklaratës, KFOR-i nuk do të hezitojë që të trajtojë secilin zhvillim që mund të ketë ndikim në siguri dhe stabilitetin rajonal, në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara.

Reagimi i KFOR-it erdhi kryerjes së një vizite të zyrtarëve të Kosovës në atë pjesë, të cilët insistojnë që ura mbi Ibër do të hapet.

Ndërkaq, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha javën e kaluar se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.

Bashkimi Evropian, ndërkohë, ka thënë se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë.

Kjo është kundërshtuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila deklaroi të enjten se “një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë”.

“Vuçiqi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë [veçanërisht me NATO-n]“, tha Osmani.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, ndonëse, në kuadër të dialogut, është rënë dakord që të hapet edhe për trafik, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.

Shpërndaje në

U Kopjua