Të premten e 4 korrikut, Kiks Kosova vrojtoi me orë të tëra në oborrin e QKUK-së dhe pa që automjetet e dy ambulancave private qëndruan të parkuara në hapësirat e këtij institucioni shëndetësor, përkundër vendimit të 2024-ës.
Bëhet fjalë për kompanitë “Via Ambulance” dhe “Mar Plus”, të dyja në pronësi të mjekëve të QKUK-së.
E kur Kiksi i kontaktoi për të marrë versionin e tyre se si u lejohet të qëndrojnë të parkuara aty, ani se ekziston një vendim i cili ia ndalon një veprim të tillë, këto kompani patën arsyetime të ndryshme.
Nga “Mar Plus” i thanë emisionit se automjeti i kësaj kompanie qëndroi për orë të tëra i parkuar në oborr të QKUK-së, duke e pritur një pacient.
E nga kompania “Via Ambulance” u arsyetuan se automjeti i tyre ka një defekt, prandaj qëndroi gjithë natën e gjithë ditën i parkuar aty.
Personi që u përgjigj në numrin kontaktues të kësaj kompanie, i tha Kiksit se bëhet fjalë për harxhim të baterisë.
Në parkingun e QKUK-së, ekipi i emisionit hasi edhe kompani të cilat kryejnë shërbime funerale. Nga kompania “Loti” u arsyetuan se po vonohen procedurat e nxjerrjes së kufomave nga ky institucion, çka i detyron këto kompani të presin me orë të tëra në oborr.
Se ka vonesa të tilla, e thonë edhe nga një kompani tjetër për shërbime funerale.
Nga kompania “Prishtina” i thanë emisionit se ekziston një marrëveshje e shkruar mes QKUK-së dhe kompanive për shërbime funerale, përmes të cilës vendoset rendi i kujdestarisë, listë e cila përcakton se cila kompani do të bëjë bartjen e kufomave.
Kompania kujdestare, ai thotë, se qëndron në parkingun e QKUK-së vetëm derisa të përfundon procedura e lirimit të trupave të pajetë.