Murat Latifi, zyrtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, është ndaluar për 48-orë nën dyshimin për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës dhe armëmbajtjes pa leje.
Siç raportoi sot portali Sinjali, Latifi dyshohet se i jepte informacione familjes Gërbeshi në Vushtrri, pjesëtarë të së cilës dyshohen për aktivitete të paligjshme.
Në një rast, pjesëtari i Njësisë Speciale Operative dyshohet se e ka transportuar me veturën e tij një nga të dyshuarit, duke i mundësuar shmangien e arrestimit.
Sipas IPK-së, në kuadër të veprimeve hetimore dhe me autorizim të organeve të drejtësisë, hetuesit e IPK-së kanë kryer edhe bastisje në objektin e banimit në Vushtrri ku jeton i dyshuari.
“IPK në interes të hetimit dhe bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e të njëjtit”, tha IPK-ja të enjten.
IPK tha se të njëjtit me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore Mitrovicë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Po ashtu, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e të dyshuarit.