Live

Lajçak: Liderët e Kosovës dhe Serbisë ranë dakord për aneksin e marrëveshjes

22:28 / 19 Mars 2023

Nga Kosova Live

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur sërish rreth zhvillimeve të dialogut.

Lajçak tha se krejt këtë javë ishte i angazhuar rreth dialogut Kosovë-Serbi, transmeton klankosova.tv.

Ai theksoi se javën e nisi me udhëtim në Beograd, ku pati takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për të diskutuar në lidhje me dialogun dhe po ashtu takoi edhe partitë opozitare pro Bashkimit Evropian.

“Kjo javë ka qenë e gjitha rreth dialogut. Filloi me një udhëtim në Beograd, ku vazhdova përgatitjet për takimin për dialogun e nivelit të lartë me presidentin Aleksandar Vuçiq. Gjatë takimit tonë, diskutuam për aneksin e zbatimit dhe rrugën përpara për Marrëveshjen. Derisa isha në Beograd, pata gjithashtu mundësinë të takohesha me partitë opozitare pro-Bashkimit Evropian për të diskutuar lidhur me dialogun dhe për të dëgjuar pikëpamjet e tyre për takimin dhe rrugën përpara. Më erdhi mirë kur pashë se shumica e tyre ishin në mbështetje të Marrëveshjes dhe rëndësisë së saj”, tha ai.

Emisari special i BE-së theksoi se pas kthimit në Bruksel, pati disa përgatitje me ekipin e tij lidhur me dialogun të cilat kulmuan në Ohër.

Lajçak shtoi se liderët e Kosovës dhe Serbisë ranë dakord për aneksin e marrëveshjes.

“Pas kthimit në Bruksel, pata një ditë e gjysmë përgatitje intensive me ekipin tim, të cilat kulmuan me takimin e djeshëm të dialogut të nivelit të lartë në mjedisin piktoresk të liqenit të Ohrit në Maqedoninë e Veriut. Gjatë takimit, të thirrur nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell dhe unë, liderët e Kosovës dhe Serbisë ranë dakord për aneksin zbatues të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre”, shtoi emisari special i BE-së.

Miroslav Lajçak, tha se takimi në Ohër i dha gjithashtu mundësi për t’u takuar me partneret e Maqedonisë së Veriut, të cilëve u është mirënjohës për mikpritjen dhe mbështetjen e tyre.

Shpërndaje në

U Kopjua