Pa kuorumin e nevojshëm dyshohet të jetë miratuar një projektligj në Kuvendin e Kosovës. E gjithë ngjarja ka ndodhur me datën 7 mars në një seancë ku në rend dite në votim ishte edhe Projektligji për Tekstet Shkollore.
Pikërisht për këtë proces votimi janë ngritur shumë dilema, sa i përket kuorumit të nevojshëm e që sipas rregullave në fuqi për t’u konsideruar një votim i ligjshëm duhet të marrin pjesë të paktën 61 deputetë.
Por, videot e Kuvendit të Kosovës, tregojnë diçka tjetër. Aty qartazi shihet se në votim marrin pjesë vetëm 60 deputetë. 59 nga ligjvënësit që marrin pjesë në votim, votojnë pro projektligjit në fjalë ndërsa 1 deputetë abstenon. Të tjerët që ishin prezent në sallën e Kuvendit, nuk marrinë pjesë fare në votim.
Kjo situatë për pak qaste në momentin e votimit e kishte “habitur” edhe vet kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, që qartazi kishte shfaqur dilemën për këtë proces.
“A jeni të sigurt që këto janë votat, nuk e di…vetëm për çështje korrektësie, a mund të më tregoni nga mazhoranca, kështu vetëm për informatën time, kush nuk ka marrë pjesë fare në votim nga mazhoranca…jo sepse atëherë nuk është numri i saktë që 62 vota janë për”, këtu është e gjithë edhe momenti kur ai e vetëvendosi, “Mirë, nëse nuk po tregoni pra cilët, 62 vota për, 1 abstenim, ka kaluar projektligji për tekstet. Parlamenti i miraton këtë projektligj” kishte deklaruar Konjufca, por pavarësisht kësaj ai e kishte konsideruar të votuar këtë dokument.
Ndonëse kanë kaluar gati një muaj nga momenti i këtij votimi, këtë proces po e kontestojnë deputetët të opozitës por dhe të pozitës. Është deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, që tashmë ka nisur një kërkesë në drejtim të Sekretarit të Kuvendit, e ku i kërkon që ti ofrohet dokumentacioni i plotë i procesit të votimit të Projektligjit për Tekste Shkollore. Gjithashtu Hoxha po kërkon sqarime edhe për vendimin e nënshkruar nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, përmes të cilit e ngarkon komisionin përkatës për shqyrtim të këtij projektligji.
Por, ajo që e bënë edhe më interesante gjithë këtë ngjarje është një fakt tjetër. Jo vetëm deputetët e opozitës po paraqesin kërkesa të tilla për sqarime në lidhje me këtë proces votimi.
Është deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, i cili po e konteston ligjshmërinë e këtij procesi dhe kërkesa e tij është shumë më specifike.
Korenica i është drejtuar Kyetarit të Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemit nga cili po kërkon që të verifikohet procesi i votimit për dy projektligje.
“Kërkesë për verifikimin e votimit te dy Projektligjeve me kuorum te pamjaftueshëm” kështu është titulluar kërkesa e deputetit Visar Korenica.
Ky ligjvënës ka parashtruar kërkesë për verifikim pikërisht edhe të procesit të votimit të projektligjit për tekstet shkollore.
“Po ashtu, Projektligji nr.08/L-207 për tekste shkollore i cili ishte sjellur për votim ne lexim te parë me date 7 mars 2024 nuk i kishte vota te mjaftueshme për te kaluar, megjithatë Kryetar i Kuvendit kishte konstatuar se ishin 62 vota pro. Prandaj, me qëllim të eliminimit të ndonjë gabimi eventual kërkoj qe te mermi ne konsiderate këtë kërkesë me prioritet ne mënyrë që verifikohet në mënyrë teknike/elektronike numri i deputeteve pjesëmarrës në votim” thuhet në kërkesën e Korenicës.
Përveç deputetëve, dilema për mënyrën e votimit të këtij projektligji janë ngritur shumë edhe në media.
Lidhur me procesin e votimit, Indeks Online ka publikuar emër për emër deputetët që kanë marrë pjesë në votim, e kanë votuar pro, e që në total dalin të jenë 60, 59 pro dhe 1 abstenim.
Ndërkaq për Kallxo.com nga Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së djeshme kanë thënë se votat e asaj dite janë verifikuar dhe projektligji ka kaluar. Sipas tyre, në votimin për Projektligjin për tekstet shkollore kanë marrë pjesë 63 deputetë, prej tyre 62 deputetë kanë votuar.
Ndërkohë Komisioni për Arsim tashmë ka mbajtur një takim- dëgjim publik mes dy leximesh për këtë projektligj, pavarësisht se në mes janë shumë dilema për ligjshmërinë e procesit të votimit të këtij projektligji ashtu siç e përcakton rregullorja e Kuvendit të Kosovës