Live

Liberalizimi i tregut të energjisë, diskutohet nga Bordi i ZRrE-së dhe shefat e ndërmarrjeve

15:47 / 23 Maj 2025

Nga Kosova Live

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) të premten ka zhvilluar një takim  me kryeshefat ekzekutiv të ndërmarrjeve të licencuara në sektorin e energjisë KEK-ut, KOSTT-it, KEDS-it dhe KESCO-së.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se në këtë takim janë diskutuar hapat përfundimtarë drejt liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë, me theks të veçantë në koordinimin dhe zbatimin teknik të këtij procesi.

“Kryeshefat ekzekutiv të ndërmarrjeve pjesëmarrëse raportuan para Bordit të ZRRE-së lidhur me të gjitha përgatitjet e ndërmarra për të siguruar që kalimi i konsumatorëve në tregun e hapur të ndodhë në mënyrë të sigurt dhe pa pengesa”.

“Gjatë diskutimeve, palët u ndalën edhe në çështje tjera me rëndësi strategjike për funksionimin e tregut të energjisë në përputhje me parimet e konkurrencës, transparencës dhe mbrojtjes së konsumatorëve”, thuhet në njoftim.

Ndër tjera, ZRrE shton se mbetet e përkushtuar për të siguruar një proces të rregullt dhe të mirëmenaxhuar të liberalizimit, në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha palët e përfshira në sektorin energjetik. 

Shpërndaje në

U Kopjua