Këngëtarja, që njihet si mbretëresha e muzikës pop, Madonna ka nënshkruar sërish kontratë me “Warner Records”, shtëpinë diskografike me të cilën filloi karrierën, dhe ka paralajmëruar se vitin e ardhshëm do të publikojë një album të ri me titull “Confessions Of A Dance Floor Part 2”.
Këngëtarja 67-vjeçare, e njohur për hitin “Frozen”, kaloi 25 vjetët e para të karrierës së saj te “Warner”, para se të largohej pothuajse dy dekada më parë. Ajo tani thotë se ndihet “e lumtur” që është rikthyer.
“Që nga fillimi, ‘Warner Records’ ka qenë partner i vërtetë për mua. Jam e lumtur që jemi ribashkuar dhe mezi pres të ardhmen, të bëj muzikë, të sjell gjëra të papritura dhe ndoshta të nxis disa biseda të nevojshme”, është shprehur Madonna në një deklaratë, raporton FemaleFirst.
Në rrjetet sociale, ajo ka ndarë disa fotografi, përfshirë disa me një makinë shkrimi.
“Pothuajse dy dekada më vonë, dhe ndihet si të jem në shtëpi me ‘Warner Records’! Rikthim te muzika, rikthim te pista e vallëzimit, rikthim aty ku gjithçka filloi! COADF P.2, 2026”, ka shkruar këngëtarja.
Kryetarët e “Warner Records”, Tom Carson dhe Aaron Bay-Schuck, e quajtën këtë një moment historik.
“Ky nënshkrim përfaqëson një rikthim të plotë në rrethin e saj artistik, duke e sjellë sërish aty ku gjithçka nisi dhe duke riafirmuar ndikimin e saj të pakrahasueshëm”, thuhet në deklaratën e tyre.
Albumi i ri është vazhdim i suksesit të albumit që ylli e pati lansuar në vitin 2005 “Confessions on a Dancefloor”, që solli këngë si “Hung Up”, “Sorry” dhe “Jump”. Madonna kishte lënë të kuptohej për projektin që në muajin shkurt, kur pati shkruar në Instagram se po përgatit muzikë të re.
“Dhurata ime e Shën Valentinit për të gjithë fansat është t’ju tregoj se po e vë gjithë zemrën dhe shpirtin tim në muzikën e re. Nuk mund të pres ta ndaj me ju!! ‘Confessions Part 2’”, pati shkruar ajo.
Ylli i popit po punon sërish me producentin/DJ Stuart Price, i cili ishte pjesë e albumit të parë ‘Confessions of a Dancefloor’ dhe ka bashkëpunuar me të edhe në turne të mëdhenj si “Re-Invention Tour” (2004), “Confessions Tour” (2006) dhe së fundmi në “The Celebration Tour” (2023–2024).
Madonna e kishte paralajmëruar rikthimin në studio edhe në muajin dhjetor.
“Punoj me Stuart Price për muzikë të re. Këta muaj kanë qenë ilaç për shpirtin tim. Shkrimi i këngëve dhe krijimi i muzikës është e vetmja gjë ku nuk më duhet leja e askujt. Jam shumë e emocionuar ta ndaj me ju. Kush dëshiron të dëgjojë muzikë të re në vitin 2025?”, pati shkruar ajo.
Albumi i ri do të jetë projekti i saj i parë pas “Madame X”, të cilin e ka realizuar në vitin 2019.