Policia në Mamushë kanë ekzekutuar të hënën një urdhër-arrest të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, ndaj një personi me inicialet M. J., 38-vjeçar nga ky qytet, që ishte shpallur në kërkim për disa muaj.
I dyshuari është dënuar me vendim të formës së prerë për dy vepra penale: falsifikim të dokumentit zyrtar, në bazë të nenit 427 paragrafi 1 të Kodit Penal dhe hyrje të paautorizuar në rrjetet kompjuterike, sipas nenit 277/D paragrafi 2 të Ligjit Nr.08/L-188.
Ai është dënuar me gjithsej 22 muaj burgim efektiv, thuhet në postimin e policisë në Facebook, transmeton Klankosova.tv.
Sipas Policisë së Kosovës, i dënuari është lokalizuar gjatë operacioneve në terren dhe pas arrestimit është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, në përputhje me vendimin gjyqësor.
Nga Policia bëhet e ditur se ky aksion është pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe forcimin e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës.