Gazeta më prestigjioze sportive e Spanjës, MARCA, ka shkruar për rastin e Kosovës pasi Federata Spanjolle e Futbollit iu referua vetëm si “territori i Kosovës”.
MARCA tregoi për lexuesit e saj që ndonëse Spanja ka njohur pasaportën e Kosovës si të vlefshme, një gjë e tillë nuk nënkupton “në asnjë mënyrë njohje”, përcjell Klankosova.tv.
“Komentatorët dhe të gjithë ata që marrin pjesë në transmetim përpiqen me çdo kusht të shmangin përdorimin e shprehjes ‘Kosova’ si shtet. Zakonisht përdorin terma si ‘përfaqësuesja e futbollit e Kosovës’, ‘territori i Kosovës’ apo të ngjashme”, thuhet në shkrimin e MARCA-s.
“Sot, kur përfaqësuesja U-21 e Spanjës përballet me Kosovën, ose më saktë, me përfaqësuesen e futbollit U-21 të territorit të Kosovës, pritet që të ndodhë e njëjta gjë”.
Përndryshe sot Federata e Futbollit e Kosovës ka paraqitur notë proteste ndaj UEFA-s dhe Federatës Spanjolle të Futbollit, pasi në komunikimet zyrtare për ndeshjen kualifikuese të Evropianit 2027 për grupmoshat U21, Kosovë-Spanjë, Federata Spanjolle iu referua Kosovës si ‘territori i Kosovës’, raporton Klankosova.tv.
