Shkruan: Baton Haxhiu
E trishtueshme kur ndjen turp për Albinin dhe Qeverinë e tij, që vetë s’ka më ndjenjën e marres. Kanë ndërruar ndërgjegjen me aparat propagande, dhe çdo kufomë është vetëm një sfond për një status në Facebook.
Mua më vjen turp për ta. Jo se kanë bërë diçka që s’pritej, por sepse s’kanë më as fytyrë që të turpërohen vetë. Më vjen turp për një pushtet zgjedh t’i fshehë trupat e KFOR-it nga fotografitë, por nuk fsheh dot gjurmët e poshtërsisë që ka lënë në çdo hap.
Nuk ka më marre në zyrat e këtij pushteti. Ka vetëm skenarë, kamera dhe photoshop. Mua më vjen marre për ta. Sepse atyre s’u vjen më për asgjë. As për një kufomë në ujë. As për një gënjeshtër të retushuar. As për veten.
Sepse, në një vend të lirë, një qeveri do të kishte shpallur nderim për jetën e humbur të një të riu që u zhduk në thellësitë e Ujmanit. Në një vend me integritet institucional, dikush do të kishte kërkuar falje për iluzionin patriotik që u ndërtua me mjeshtëri mbi retorikën boshe të “çlirimit të veriut”. Por në këtë republikë memesash dhe vetëlavdish, qeveria zgjodhi të fshehë realitetin: trupat e KFOR-it amerikan që përcillnin misionin e FSK-së për gjetjen e kufomës, u fshehën nga fotot zyrtare. U fshehën si të ishin pengesë në narrativën e rreme se “FSK hyri në veri më në fund e vetme”. Jo për të shpëtuar, jo për të ndihmuar, por për të treguar se propaganda nuk njeh kufinj: as të turpit, as të dhembjes, as të kufomave.
Ky nuk është më manipulim. Ky është retushim i vdekjes.
Në thelb, çfarë kemi këtu? Një djalë nga diaspora që, në emër të patriotizmit të pakontrolluar që ushqehet çdo ditë nga rrjetet e pushtetit, ka besuar se Ujmani është i lirë. Se veriu është i yni. Se jeta është e mbrojtur dhe shteti është aty. Ka hyrë në ujë dhe nuk ka dalë më. Qeveria nuk e tha këtë. Nuk paralajmëroi as rrezikun, as mungesën e kontrollit. Përkundrazi: e përdori momentin për të inskenuar një hyrje “historike” të FSK-së, për të ndërtuar një foto të rreme, të shpëlarë nga çdo gjurmë ndërkombëtare, nga çdo realitet.
Por e vërteta, ajo që ngrihet si kufomë në sipërfaqe, është kjo: FSK nuk hyri dot në veri pa lejen humanitare të KFOR-it amerikan. Dhe KFOR-i ishte aty. I pranishëm. Fizikisht. Në çdo hap. Në çdo automjet. Në çdo kthesë të rrugës. Dhe u fsheh. Teknikë e përdorur për pothuaj një shekull.
Për çfarë? Për një “like” më shumë? Për një koment më shumë që thotë “urime, ushtarët tanë më në fund në veri”? Për një video që do të mbushet me flamuj e brohoritje dixhitale, ndërsa një djalë i ri, që besoi në këto gënjeshtra, prehet pa frymë nën ujë?
Ky është kulmi i degradimit moral të propagandës: jo më të retushosh gjyqet, tenderët apo sondazhet, por të retushosh edhe vdekjen. Të zhdukësh trupat ndërkombëtarë nga pamja që të duken vetë zot, edhe në një mision humanitar. Të shesësh një leje humane si fitore sovraniteti. Të shkelësh mbi kufomë për një status triumfi.
Në fund të fundit, çfarë kërkohet nga një qeveri? Që të gjejë trupin, të ruajë jetën, të mbrojë qytetarin dhe të flasë të vërtetën. Kjo qeveri zgjodhi të gjejë këndin më të mirë për fotografi. Dhe ta pastrojë prej çdo gjëje që i prish narrativën. Edhe nëse ajo gjë është realiteti.
Kjo nuk është më qeverisje. Kjo është estetikë e ligësisë.
Sepse një qeveri që e përdor vdekjen si sfond për lavdi të rreme, nuk është më në luftë me kritikët. Është në luftë me njerëzillëkun.
Dhe kjo luftë është më e turpshme se çdo pushtim.