Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka hedhur akuza në drejtim të kryeministrit Albin Kurti se është munduar të krijojë një shtet që varet dhe është nën kontroll të tij.
Ai në një intervistë për gazetën online Reporteri.net ka thënë se është munduar të kotrollojë sistemin e drejtësisë, mediat, po jo vetëm, por sipas tij është PDK që e ka penguar.
“Kurti është munduar të kontrollojë administratën civile, mediat, çmimet, pra ekonominë e tregut të lirë, t’i kontrollojë sindikatat, sistemin e drejtësisë, pra është munduar të krijojë një shtet qysh ai e imagjinon dhe ai shtet që varet prej tij dhe është nën kontrollë e tij, dhe ne e kemi penguar këtë, nuk ka mundur ta pengojë dikush tjetër”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se fitoret më të mëdha të opozitës gjatë qeverisjes Kurti kanë qenë fitorja në zgjedhjet lokale, dhe fitoret në Gjykatën Kushtetuese.
Krasniqi tutje ka thënë se 9 Shkurti është afër dhe “ne do e shohim cili ka qenë vlerësimi i qytetarëve, sepse në fund të fundit ai është më i rëndësishmi”.