Gjermania ka deportuar dhjetëra shtetas afganë në atdheun e tyre të premten, hera e dytë që e bën këtë që kur talebanët u rikthyen në pushtet dhe e para që kur një qeveri e re që premtoi një qëndrim më të ashpër ndaj migracionit mori detyrën në Berlin.
Ministria e Brendshme tha se një fluturim u nis të premten në mëngjes me 81 afganë, të gjithë burra që më parë kishin rënë në vëmendjen e autoriteteve gjyqësore. Në një deklaratë, ajo tha se deportimi u krye me ndihmën e Katarit dhe tha se qeveria synon të deportojë më shumë njerëz në Afganistan në të ardhmen, raporton Associated Press, transmeton Klankosova.tv.
Më shumë se 10 muaj më parë, qeveria e mëparshme e Gjermanisë deportoi shtetas afganë në atdheun e tyre për herë të parë që kur talebanët u rikthyen në pushtet në vitin 2021. Kancelari i atëhershëm Olaf Scholz u zotua të rrisë deportimet e azilkërkuesve.
Kancelari i ri Friedrich Merz e bëri politikën më të ashpër të migracionit një pikë qendrore të fushatës së tij për zgjedhjet e Gjermanisë në shkurt.