Live

Mexhiti e quan ‘keqkuptim’ incidentin në aeroport: Institucionet maqedonase ia mundësuan Osmanit udhëtimin pa shqetësime

13:27 / 02 Gusht 2024

Nga Kosova Live

Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka reaguar pas skandalit diplomatik me të cilin u përball presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Aeroportin e Shkupit, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Mexhiti e ka quajtur ‘keqkuptim’ gjithë situatën e krijuar, teksa tha se institucionet e shtetit kanë reaguar menjëherë dhe i kanë mundësuar Osmanit udhëtim pa shqetësime.

Dëshiroj t’ju siguroj të gjithëve se institucionet e shtetit kanë reaguar menjëherë për të zgjidhur keqkuptimin e ndodhur në Aeroportin e Shkupit gjatë ditës së djeshme dhe Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani i është mundësuar udhëtimi pa shqetësime. Keqkuptimi i shkaktuar mes MPB, TAV dhe sigurimit të Presidentes është sqaruar dhe tejkaluar pa komplikime dhe situata është tejkaluar pa pasoja”, shkroi ai.

Mes tjerash, Mexhiti është shprehur se Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon ta demonstrojë mungesën e kultruës që nga momenti i kalimit në opozitë.

“Si zëvendëskryeministër i parë dhe si Kryetar i Lëvizjes Demokratike, shpreh keqardhje për mungesën e kulturës politike të cilën vazhdon ta demonstrojë BDI-ja që nga momenti i humbjes së zgjedhjeve dhe kalimit në opozitë.

Nga një parti politike që për më shumë se 20 vjet ka gëzuar privilegjet e pushtetit pa ndërprerje, më së paku është pritur kjo formë e arrogancës çfarë po demonstrojnë ata për çdo ditë. Më vjen sinqerisht keq dhe turp kur e shoh se si janë katandisur”, ka thënë kryeari i Lëvizjes Demokratike.

Po ashtu, Mexhiti ka folur edhe për lirimin nga masa e paraburgimit të ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, i cili me vendim të Gjykatës u la në arrest shtëpie.

Ai më tej ka ftuar BDI-në të tregojë seriozitet dhe pjekuri politike, teksa ka shtuar se raportet ndërshtetërore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë të shkëlqyeshme.

Gjatë ditës së djeshme u lirua nga praburgimi ish ushtari i UÇK-së. Ne po punojmë intensivisht që shumë shpejt ai të kthehet në shtëpi. Duke e ditur këtë, BDI duhej të prodhonte një krizë tjetër artificiale që të minimizohet fakti se ish ushtari i UÇK-së u lirua nga paraburgimi si rezultat i punës tonë në institucione. Sepse për një parti parapolitike e cila institucionet i ka trajtuar si instrument për ushtrim dhune dhe frikësimi dhe i ka parë ato si mekanizëm për pasurim, për një strukturë me mendësi komuniste, secili keqkuptim, sado i vogël të jetë ai, është një shans për të shkaktuar incident, vetëm e vetëm që ata të provojnë të rikthehen në pushtet!

Ftoj BDI-në të tregojë seriozitet dhe pjekuri politike dhe të sillet si opozitë konstruktive. Raportet ndërshtetërore mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë të shkëlqyeshme dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla, dhe ato nuk mund t’i cënojë frustracioni opozitar i një partie politike dhe megafonëve të saj që bëjnë lajme të rrejshme për honorare të majme”, shkroi Mexhiti në Facebook.

https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fizetmexhiti%2Fposts%2Fpfbid0F6wzEPpXacok2Y1yDREbDVCgDFE1izmd9y9LJw1Na3cV6ucs6NhxCp21M7XKggNil&show_text=true&width=500

Ndryshe, presidentja Osmani është përballur me një incident diplomatik dje në Aeroportin e Shkupit, ku sigurimi i aeroportit ka tentuar t’ia marrë telefonin, në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare për marrëdhënie diplomatike.

Incidenti është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net nga këshilltarja e Presidentes, Egnesa Vitia. Sipas saj, kur Osmani s’ka pranuar ta dorëzojë telefonin, ka pasur tentim të shtyrjes fizike ndaj saj nga ana e sigurimit dhe se është dashur ndërhyrja e Policisë së Kosovës për ta hapur rrugën.

Ne kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”, ka deklaruar Vitia për Gazetën Online Reporteri.net.

Shpërndaje në

U Kopjua