Live

Ministri danez i Drejtësisë në PDK, Krasniqi: Pas burgjeve, nevojitet bashkëpunim në ekonomi, arsim e shëndetësi

21:15 / 26 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, ministri i Drejtësisë së Danimarkës, Peter Hummelgaard ka vizituar edhe Partinë Demokratike të Kosovës.

Lajmin është bërë i ditur nga kryetari i PDK-së. Memli Krasniqi.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se Kosova dhe Danimarka kanë një histori tejet të mirë të partneritetit të ndërsjellë.

“Përveç bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, përmes Traktatit Kosovë- Danimarkë, i cili parasheh shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, të dy vendet tona duhet të thellojnë bashkëpunimin përmes marrëveshjeve bilaterale edhe në fushën e zhvillimit ekonomik, arsimit dhe shëndetësisë.”, ka shkruar Krasniqi.

Ai tha se Kosova do t’i jetë përherë mirënjohëse Danimarkës për kontributin domethënës në të gjitha etapat e shtetndërtimit.

Gjatë ditës Hummelgaard, nën shoqërinë e ministres Albulena Haxhiu, ka vizituar Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, ku do të vendosen 300 të dënuar nga Danimarka.

Në një prononcim të shkurtër për media, Hummelgaard ka thënë se ardhja e tij në Kosovë ka të bëjë për ndihmë në shfrytëzimin e kapaciteteve të burgjeve kosovare.

Me ç’rast, u shpreh falënderues ndaj Kosovës, për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për të dënuarit e saj.

“Ne tani kemi ardhur në Kosovë për ndihmë për shfrytëzimin e kapacitetit të burgjeve kosovare. Kjo është ndihmë e madhe për Danimarkën. Kjo vizitë shënon zbatimin praktik të projektit. Sot kemi nënshkruar kontratën me kontraktuesin që do të rinovojë objektet këtu në Gjilan. Ne kemi qenë shumë të bindur në të kaluarën që jemi në gjendje të mbështesim dhe ndihmojmë Kosovën, dhe e dimë se kemi nevojë për ndihmë nga Kosova në përdorimin e kapaciteteve të qasjes në burgjet dhe objektet e paraburgimit të kosovarëve””, ka thënë ministri danez para mediave.

Ndërkaq, ministrja Haxhiu ka thënë se finalizimi i marrëveshjes do të bëhet pas përfundimit të punëve teknike.

“Sot shpreha gatishmërinë e Qeverisë se do të adresojmë të gjitha përgjegjësitë që i kemi. Jemi shtet serioz, jemi vend demokratik, prandaj është e rëndësishme që zotimet që i marrim t’i adresojmë si duhet”, ka deklaruar Haxhiu.

Paraprakisht, Ministria e Drejtësisë njoftoi se janë transferuar pesë milionë euro për renovimin e burgut dhe ndërtimin e punëtorive të reja.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...