Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se nuk do të duhej të diskutohej se pse institucionet e Serbisë janë mbyllur sot, por se si ato kanë qenë të hapura deri sot.
Në një status në rrjetin social Facebook, Krasniqi institucionet serbe të mbyllura të mërkurën në Kosovë, i ka quajtur institucionet paralele kriminale të Serbisë në Kosovë.
“Tashmë janë mbyllur Institucionet paralele kriminale të Serbisë në Kosovë. Komunat paralele, Posta paralele, Administratat Tatimore paralele. Qytetarët e Kosovës, i kanë komunat e Kosovës, Postën e Kosovës si dhe Administratën Tatimore të Kosovës, sikurse të gjitha institucionet e tjera të bazuara në Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionet në fuqi. Diskutimi për institucionet e Serbisë në Kosovë nuk do të duhej të bëhej se pse janë mbyllur sot, por si kanë qenë të hapura deri sot”, ka shkruar Krasniqi.
Ministri ka shkruar pas një sërë reagimesh të ndërkombëtareve për aksionin për mbylljen e strukturave paralele, të cilët kritikuan institucionet e Kosovës, ndër të tjera për mënyrën dhe kohën e mbylljes së tyre.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dënuan veprimet e Prishtinës.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka thënë se veprimet e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele të Serbisë në disa komuna të Kosovës, ndikojnë direkt dhe negativisht tek qytetarët serbë etnikë të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euro-atlantik.
“Veprimet e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia ndikojnë direkt dhe negativisht në qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet e tjera – dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
Ky zëdhënës i Ambasadës Amerikane tutje ka thënë se këto veprime janë bërë kundër këshillave amerikane dhe si të tilla e dobësojnë besimin dhe kufizojnë mundësitë e SHBA-së për të ndihmuar Kosovën për një të ardhme më të mirë.
“Këto veprime, kundër këshillave tona më të mira, dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën të sigurojë të ardhmen më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj. Ne po vazhdojmë të monitorojmë situatën. Ju lutemi ndiqni platformat tona online për reagime shtesë nga Ambasada e SHBA”, përfundon përgjigja.
Edhe Bashkimi Evropian ka kritikuar Kosovën për shkak të mbylljes së strukturave paralele, pasi siç ka thënë, mbyllja e strukturave “të mbështetura nga Serbia” bien ndesh me detyrimet e saj ndaj BE-së. Në reagimin e BE-së u tha se përderisa konkluzionet janë se BE-ja do të heqë gradualisht masat paralel me hapat e Kosovës për depërshkallëzim të tensioneve në veri, “këto veprime nuk janë të favorshme për këtë qëllim”.
BE-ja ka thënë tutje se statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia parashikohet të zgjidhet përmes dialogut.
Në anën tjetër ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, i është përgjigjur Bashkimit Evropian me tri qartësime sa i përket aksionit të Policisë së Kosovës në mbylljen e strukturave paralele në disa rajone të mërkurën.
Bajrami ka sqaruar se ato struktura ishin ilegale të drejtuara nga Serbia, se s’ka marrëveshje mbi ato dhe që aksioni nuk nxiti tensione.
“Për sqarim: Nuk ka struktura të mbështetura nga Serbia në Kosovë; ato ishin struktura ilegale të drejtuara nga Serbia. Nuk ka asnjë marrëveshje që përcakton negociatat për të ardhmen e këtyre strukturave. Sot, operacioni i Policisë së Kosovës nuk shkaktoi tensione”, ka shkruar Bajrami në platformën X.