Live

MKRS publikon listën përfundimtare, OJQ-të që dikur drejtoheshin nga ministri Çeku marrin qindra mijëra euro nga shteti

17:07 / 26 Korrik 2024

Nga Kosova Live

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar listën përfundimtare të fituesve në thirrjen publike për ndarjen buxhetore për Organizatat Joqeveritare në Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Në listën përfundimtare të publikuar sot, 26 korrik 2024, shihet se OJQ-të e mbështetura në kategorinë e parë janë edhe dy organizatat për të cilat u bë shumë zhurmë – ‘Ec Ma Ndryshe’ dhe ‘Fondacioni Lumbardhi’ – në të cilat ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, ishte hisedar të në kaluarën.

OJQ ‘Ec Ma Ndryshe’ me projekt-propozimin ‘Trashëgimia kulturore për të gjithë: Ruajtja, edukimi, zhvillimi dhe inovacioni’, ka përfituar nga MKRS-ja plot 257 mijë euro, respektivisht 82 mijë euro për vitin 2024, 85 mijë për 2025 dhe 90 mijë për vitin 2026.

Ndërsa ‘Fondacioni Lumbardhi’ me projekt-propozimin me titull ‘Lumbardhi në Tranzicion’ ka përfituar nga shteti 55 mijë euro për vitin 2024, 65 mijë euro për vitin 2025 dhe 67 mijë euro për vitin 2026, që në total shuma e aprovuar e mbështetjes kap vlerën e 187 mijë eurove.

Lista preliminare e OJQ-ve të përfituese që u publikua me 25 qershor 2024, fillimisht ka përfunduar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, të cilët nisën vlerësimet për rastin e ndarjeve buxhetore për OJQ-të.

Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net më 11 korrik, nga APK-ja bënë me dije se kjo u bë me kërkesë të vetë ministrit Çeku.

Në organizatën ‘Ec Ma Ndryshe’, ministri Çeku në të kaluarën mbante pozitën e drejtorit, ndërsa në atë ‘Fondacioni Lumbardhi’, bashkëthemelues i saj ishte pikërisht shefi i MKRS-së.

Përveç ministrit Çeku, listën e themeluesve të OJQ-së ‘Fondacioni Lumbardhi’ e përbëjnë edhe katër persona të tjerë. Sipas web-faqes ku tregohet data baza e çfarëdo organizate jo-qeveritare, pjesë e ‘Fondacioni Lumbardhi’ si bashkëthemelues janë edhe Ares Shporta, Aliriza Arënliu, Doruntina Ukimeri si dhe Veton Nurkollari. Ajo u themelua më 20 prill 2015.

Ndërkohë angazhimin e Ministrit Çeku në OJQ ‘Ec Ma Ndryshe’, e konfirmon edhe biografia e publikuar në bloëgun e tij.

Përgjatë viteve ka qenë i angazhuar në shumë organizata vendore dhe ndërkombëtare, në mesin e të cilave edhe Fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, Klubi për Politikë të Jashtme dhe EC Ma Ndryshe”, shkruhet në biografinë e Ministrit të Kulturës, njëherësh edhe figurë e rëndësishme në Lëvizjen Vetëvendosje.

Aktualisht, sipas raportimeve, “Ec Ma Ndryshe” drejtohet nga vëllai i Ministrit Hajrulla Çeku, Fitimi.

Shpërndaje në

U Kopjua