Live

Motoçiklistët i godasin tre zyrtarë policorë në Ferizaj

09:01 / 20 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Tre zyrtarë policorë janë lënduar të martën mbrëma në rrugën “Gjon Sereqi” në Ferizaj, si pasojë e goditjes nga tre motoçiklistë që nuk i respektuan rregullat e trafikut.

Sipas raportit 24-orësh të policisë, rasti i parë ndodhi rreth orës 21:15, kur një motoçiklist refuzoi të ndalonte për kontroll policor, rriti shpejtësinë dhe goditi dy zyrtarë policorë. Të lënduarit u dërguan menjëherë në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt për trajtim mjekësor.

Policia njofton se i dyshuari është identifikuar pasi në vendin e ngjarjes i kishte rënë telefoni celular. Më vonë, ai së bashku me prindin e tij është paraqitur në stacionin policor. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Pak minuta më vonë, rreth orës 21:20, një tjetër incident ndodhi kur dy motoçiklistë tjerë përplasën një zyrtar tjetër policor, duke i shkaktuar lëndime trupore. Të dy të dyshuarit u arrestuan në vendngjarje dhe, pas intervistimit, u liruan në procedurë të rregullt me urdhër të prokurorit kujdestar. 

Shpërndaje në

U Kopjua