Live

MPJD e Kosovës i kërkon Serbisë ta konfirmojë identitetin e personit të vrarë

16:17 / 19 Korrik 2024

Nga Kosova Live

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi pas raportimeve për vrasjen e një shtetasi të Republikës së Kosovës në Serbi, ka kërkuar nga autoritetet serbe që të konfirmojnë identitetin e personit të vrarë, përcjell Reporteri.net.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do t’ju mbajë të informuar sapo të ketë informacione të reja në lidhje me këtë rast”, thuhet në njoftim.

Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, ka thënë të premten se është vrarë personi që në orët e para të së enjtes vrau një polic në Serbi.

Megjithatë, mediat serbe gjatë raportimit të sotëm kanë përmendur emrin e Faton Hajrizit.

Identiteti i personit të vrarë nuk është përmendur në komunikatën e lëshuar nga autoritetet serbe në pasditen e 19 korrikut.

Megjithatë, Daçiq më herët gjatë së premtes tha se autoritetet ishin në kërkim të Faton Hajrizit, i dyshuar për vrasjen e policit, dhe plagosjen e një tjetri në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.

Shpërndaje në

U Kopjua