Profesori i shkencave politike, Artan Mustafa, ka komentuar planin franko-gjerman dhe marrëveshjen e arritur në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai ka thënë se shikuar nga aspekti i shqiptarëve, kjo është marrëveshja më e keqe që prej vitit 1999.
“Kjo është marrëveshja më e keqe në raport me shqiptarët pas 99-ës. Ne si shqiptarë kemi pasur parime që se mu bashku me Shqipërinë që të krijojmë shtetin tonë, ose me pas një shtet që e dominojnë. Këtu për herë të parë, në marrëveshje të tjera nuk ka qenë e cekur, por këtu është më e qartë, nuk garantohet njohja nga Serbia”, thotë ai.
“E dyta, nuk ka garanci që sigurohet ulësja në OKB”, shtoi.
“E treta, është autonomia më e madhe që u jepet një pakice në Evropë. Janë ishujt Aland ku nuk mundet të shkojë ushtria finlandeze, vetëm aty është një rast i njëjtë sikur në veri ku ushtria nuk mund të shkojë”, shtoi Mustafa.
Ai shpjegon edhe rrethanat që kanë sjellë deri në këtë zgjidhje. Ai po ashtu shtoi se me këtë marrëveshje, Kosova nuk është shtet klasik sipas koncepteve ndërkombëtare.
“Janë disa rrethana që ka ardhur kjo. Është aftësia e negocimit dhe marrëdhënia që ka pasur kryeministri aktual me SHBA-në. Është edhe bashkësia ndërkombëtare që është munduar të krijojë një balancë në aspektin etnik. Vet mbrojtja që i ka bërë pakicës në veri ka sjellë këtë gjendje. Lufta në Ukrainë. Duket se Kosova pa paguan një kosto”, shpjegoi Mustafa.
“Kosova me këtë marrëveshje nuk bëhet shtet klasik. Literatura në aspektin klasik e njeh si shtet të papërfunduar. Shumë shtete në botë ende nuk e njohin”, përfundoi ai.