Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe deputetja e Kuvendit, Vlora Çitaku, në emisionin “Reel Talk me Maxhunin” tha se pashmangshëm do të përfundojmë në zgjedhje të reja, por bllokimi i Kuvendit, sipas saj, është një dëm i madh që po i bëhet Kosovës nga ana e Kurtit dhe Vetëvendosjes.
“Ne sot do të duhej të ishim në Kuvend për ta shkarkuar bordin e ZRrE-së që është shndërruar në ofiçinë të Vetëvendosjes. Ne sot do të duhej të ishim në Kuvend për t’i mbrojtur interesat e mediumit publik, për gazetarët që po sulmohen, për t’i mbrojtur prindërit që nuk po arrijnë t’i sigurojnë librat”.
“Pra, këto janë tema për të cilat do të duhej të ishim në Kuvend, por qëllimshëm Vetëvendosje ka vendosur t’i sabotojë institucionet”, tha Çitaku.
Ajo tha se Kuvendi nuk është konstituuar dhe tashmë ekziston edhe një masë e përkohshme nga Gjykata Kushtetuese. Sipas saj, ligji dhe rregullorja e punës së Kuvendit shumë qartë e sqarojnë se si bëhet konstituimi i tij.