Live

Nesër protesta në Hagë, 100 slogane shprehin revoltën

18:41 / 13 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Bashkëluftëtarët dhe mërgimtarët nga diaspora, por edhe shqiptarët si nga Kosova, ashtu edhe nga trojet tjera shqiptare, janë nisur për në Hagë, për të marrë pjesë nesër në protestën që mbahet me fillim nga ora 14:00 pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

Rina Mujku, gazetare e Klan Kosova, ka njoftuar se lokacioni i protestës është caktuar atje pasi që te Gjykata Speciale një gjë e tillë nuk është lejuar për arsye të sigurisë.

Në Info Magazine të Klan Kosova, Mujku tha se protestuesit gjatë ditës së nesërme do ta “kenë” qytetin gati në pëllëmbë të dorës për shkak se kjo protestë do të zhvillohet në një park afër muzeut Madurodam, ku është në miniaturë i gjithë qyteti i paqes dhe drejtësisë, ashtu siç njihet Haga e Holandës.

“Kemi dëgjuar duke ardhur këtu edhe shumë bashkëluftëtarë të katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kanë planifikuar të shkojnë në këtë park deri në 3 orë përpara, për t’u takuar me njëri-tjetrin dhe pastaj që nga ora 14:00 ata do të fillojnë dhe t’i shpalosin parullat dhe sloganet e tyre, të cilat janë afro 100 sosh dhe të gjitha janë në gjuhën angleze që të përcillet mesazhi jo vetëm te Gjykata Speciale e Kosovës dhe te Prokuroria e Specializuar, por natyrisht edhe te Bashkimi Evropian dhe te gjitha institucionet e tjera”, tha gazetarja e Klan Kosova, Rina Mujku.

Shpërndaje në

U Kopjua