Live

Nesër takimi për të pagjeturit, Kosova do ta kërkojë zbatimin e shkresës për arkivat

08:11 / 14 Janar 2025

Nga Kosova Live

Të mërkurën do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë. Kjo pasi në dhjetorin e vitit që lamë pas, në kuadër të takimit në Bruksel ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe të Serbisë, u arrit marrëveshja për të pagjeturit.

Ky dakordim ka për qëllim krijimin e një komisioni të përbashkët ndërmjet të dyja vendeve, të mbikëqyrur nga Bashkimi Evropian, si garantues i kësaj marrëveshjeje.

Për mbajtjen e këtij takimi fillimisht njoftoi emisari i BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak.

“Misioni im i parë i vitit më çoi në SHBA. Në Uashington, D.C., u angazhova në diskutime të hollësishme me ndihmëssekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien dhe zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof. Së bashku, ne u thelluam në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në Dialogun e Normalizimit… Përsëri në Bruksel, fokusi i kësaj jave do të jetë te Personat e Zhdukur me takimin e parë të Komisionit të Përbashkët”, ka shkruar Lajçak.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti, konfirmoi se takimi do të mbahet më 15 janar në nivel të zëvendësuesve.  Hoti bëri të ditur Halil Cenaj është caktuar si përfaqësues delegacionit të Kosovës.

“Takimi ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e personave të zhdukur. Në këtë kontekst, delegacioni ynë do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar te Vuçiq, dhe çështje të tjera të rëndësishme në këtë fushë. Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese ‘Deklaratës për Persona të Zhdukur’ e miratuar më 2 maj 2023”, tha Hoti.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...