Prokurorët e gjyqtarët mund të performojnë dobët dhe mund të rritet niveli i korrupsionit në sistemin e drejtësisë, po vlerësojnë ekspertët e kësaj fushe.
Kjo për shkak të zvogëlimit të pagave, edhe pse vendimi i Qeverisë është pezulluar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, tha se siguria financiare e gjyqtarëve dhe prokurorëve është e garantuar me Kushtetutë, duke e përshëndetur vendimin e Themelores.
Ai më tej shtoi se në bazë të standardeve ndërkombëtare ndalohet apo kufizohet e drejta qoftë që të preken apo të zvogëlohen pagat e gjyqtarëve dhe të prokurorëve.
“E para është vendi i mirë i Gjykatës Themelore në Prishtinë që ka caktuar masë të sigurisë në vendimin e qeverisë nga e cila është përgjysmuar paga e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në anën tjetër siguria juridike, siguria financiare e gjyqtarëve dhe prokurorëve është e garantuar me Kushtetutë, është e garantuar me ligj, është e garantuar me praktikën apo standardet ndërkombëtare që e qeverisen fushën e sundimit të ligjit në Kosovë. Me vetë faktin që është standard ndërkombëtarë dhe pothuaj se shumica e shteteve të rajonit në Kushtetutat e tyre kanë dispozita ku ndalohet apo kufizohet e drejta qoftë legjislative qoftë ekzekutive, që të preken apo të zvogëlohen pagat e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, besoj që dëshmon mjaftueshëm se sa është e rëndësishme që të sigurohet pavarësia e sistemit gjyqësor dhe prokurorial” tha ai.
Miftaraj tha se nëse vendimi i Qeverisë për ulje të pagave në këtë sektor do të mbetet në fuqi, atëherë gjyqësori dhe prokuroria do të rrezikohen jo vetëm me performancë të dobët, por edhe me rritje të nivelit të korrupsionit.
“Në anën tjetër pa dyshim që nëse pagat e tyre zbriten siç është paraparë me vendimin e Qeverisë kjo do të kishte ndikim jo vetëm në efikasitet, por do të kishte kuptim ne menaxhimin apo administrimin e përgjithshëm të sistemit gjyqësor dhe sistemit prokurorial. Si Institut i Kosovës për Drejtësi e kemi përmendur disa herë që kjo do t’i jepte rrugë korrupsionit në gjykata dhe prokurori, kur dihet mirëfilli se një gjyqtarë apo prokurorë është mësuar që brenda muajit të ketë të ardhura 1500 apo 2000 euro në muaj dhe këto të ardhura pastaj të përgjysmohen kjo rrit mundësit që të njëjtit pastaj ato mjete t’i marrin përmes rrugëve të tjera”, tha ai.
Profesoresha e Fakultetit Juridik Gjylieta Mushkolaj, tha se ulja e pagave është një problem që ka filluar më herët dhe sipas saj, nëse nuk ekziston pavarësia financiare në gjyqësor dhe prokurori nuk mund të ketë pavarësi.
Ajo shtoi se nga raporte e BE-së në vazhdimësi gjyqësori në Kosovë është kritikuar, raporton EO.
“Ky është një problem në vete që ka filluar më herët, ne kemi pasur një rritje të pagës së kryeministrit me vendim të vetin për vete dhe kabinetin e vet dhe kjo rritje automatikisht është reflektuar në rritjen e pagave të gjyqësorit”.
“Këtu përplase disa parime, në një nuk mund të flasim për pavarësi të gjyqësorit nëse nuk ekziston edhe pavarësia financiare, por megjithatë duhet të ekzistoj një disiplinë shumë e madhe sa i përket pagave. E dyta duhet pasur kujdes për parimin e ndarjes dhe ekuilibrimit të pushteteve, ky parim e ka kompnenten e aspektit buxhetor dhe financiar të tri degëve të pushtetit. Ky rrugëtim i joni na sjell para një situate tejet problematike, tash duhet me parë se cilin parim Kushtetues duhet ta shkelim, a parimin fundamenatle apo parimin tjetër”, tha ajo.