Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna i është drejtuar me një kërkesë publike presidentes së shtetit, Vjosa Osmani, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, e Ymer Fejzullahut, që është kryesues i Bordit të ZRrE-së që të pezullojnë vendimin e Zyrës së Rregullatorit për daljen e bizneseve në treg të hapur energjetik.
Rafuna e ka quajtur si thirrje të fundit për të ndaluar siç ka thënë ai “një veprim arbitrar që po e dëmton rëndë ekonominë e Kosovës, daljen e detyruar të bizneseve prodhuese në tregun e lirë të energjisë”.
Sipas kreut të Odës Ekonomike, procesi ka shkaktuar pasoja të rënda ekonomike, duke rrezikuar mbylljen e fabrikave, humbjen e mijëra vendeve të punës dhe shkatërrimin e prodhuesit vendor, që thotë se është shtylla kryesore e zhvillimit të vendit.
“Shoqata e Prodhuesve të Kosovës ka kryer një hulumtim me kompanitë prodhuese të sektorëve kryesorë. Rezultatet tregojnë se rritja e kostove të energjisë është e papërballueshme: 1. Kostoja e energjisë për industrinë është rritur mesatarisht 3 herë krahasuar me vitin 2024. 2. Në disa industri, ndikimi i kostos së energjisë në shpenzimet operative (OPEX) ka arritur deri në 44%, duke e bërë të pamundur vazhdimin normal të prodhimit. 3. Vetëm për sektorin e ndërtimit, rritja e kostos ka qenë mbi 5.6 milionë euro, ndërsa për industrinë e ushqimit mbi 1.7 milionë euro”, thuhet në thirrjen drejtuar krerëve shtetëror e atij të ZRrE-së, transmeton RTK.
Në këtë letër, tutje Rafuna ka thënë se po krijohet një konkurrencë e padrejtë në treg. “Pasi disa kompani janë kthyer në tregun e rregullt pas pezullimit të vendimit nga gjykata, ndërsa të tjera me probleme të njëjta mbeten në pritje të vendimeve gjyqësore. Në këtë situatë janë dhjetëra vendime të Gjykatës Komerciale që vërtetojnë shkeljet ligjore gjatë zbatimit të këtij procesi, ndërsa qindra lëndë të tjera janë në pritje për vendimet nga Gjykata”, thuhet tutje në kërkesën publike.
Sipas Rafunës që drejton Odën Ekonomike të Kosovës, zbatimi i vendimit në kundërshtim me aktvendimet gjyqësore përbën shkelje të ligjit dhe të parimeve kushtetuese.
“Ju bëjmë thirrje që të ndërmerrni një akt patriotik për Kosovën duke pezulluar menjëherë vendimin për daljen e detyruar në treg të lirë të energjisë deri në finalizimin e lëndëve gjyqësore dhe vendimeve për masën e sigurisë. Çdo vonesë e mëtejshme do të ketë pasoja të pariparueshme për ekonominë dhe zhvillimin e vendit. O sot, o kurrë! Ky është momenti që të tregoni përgjegjësi para qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës, the interesin publik. duke mbrojtur prodhuesin vendor dhe interesin publik”, ka shkruar Rafuna në letrën për Osmanin, Kurtin e Fejzullahun në ditën kur përfundon afati për furnizim të përkohshëm përmes Furnizuesit të Mundësisë së Fundit me energji elektrike, e ZRrE-ja dhe KEDS-i kanë paralajmëruar se nga nesër nisin shkyçjet.
