Live

Osmani e vazhdon “traditën” e heshtjes, ende asnjë fjalë për shkrimin në RTK që sulmoi mediat

11:56 / 26 Korrik 2024

Nga Kosova Live

E para e shtetit po vëzhgon nga larg situatën e krijuar dhe reagimet e shumta pas shkrimit që publikoi RTK’ja nga një gazetë boshnjake, ku atakohen dy mediume në vend. Deri tash, nuk e ka thënë asnjë fjalë. Njëjtë ka vepruar edhe për Ligjin problematik për Komisionin e Pavarur të Mediave. Kishte heshtur edhe kur ishte sulmuar gazetari Valon Syla. S’kishte bërë zë as kur bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, i kishte quajtur mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, madje më vonë ishte arsyetuar se postimi i tij ishte nxjerrë nga konteksti.

Presidentja Vjosa Osmani ka zgjedhur heshtjen lidhur me shkrimin që publikoi Radio Televizioni i Kosovës nga mediumi boshnjak “Slobodna Bosna”, nëpërmjet të cilit ata akuzojnë medie në Kosovë që, sipas tyre, “janë nën kontroll të Serbisë dhe Vuçiqit”.

Nga publikimi i këtij shkrimi, janë bërë pesë ditë, e ajo akoma s’e ka thënë asnjë fjalë.

Në faqen e saj zyrtare në Facebook, postimet e këtyre ditëve kanë të bëjnë me pjesëmarrjen e saj në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, takimin me këngëtaren Bebe Rexha e hapjen e lojërave olimpike në Paris. 

Këtij shkrimi i ka bërë jehonë partia në pushtet, zyrtarë të së cilës e kanë shpërndarë dhe përmendur emrat e dy mediumeve, duke rrezikuar kështu jetët e gazetarëve të tyre.

Ndaj eksponentëve të VV’së që e shpërndanë shkrimin por edhe RTK’së që e publikoi, ka pasur shumë reagime. Janë kërkuar edhe shkarkime nga RTK. Një vendim i tillë nuk është marrë ende, por një komision është themeluar për të trajtuar këtë çështje.

Kryetari i Bordit të RTK’së, Besnik Boletini, ka deklaruar mbrëmë për Gazetën Express se bordi nuk mund të ndërmarrë asgjë pa e kryer punën e vet komisioni.

Ai e ka quajtur të papranueshëm publikimin e lajmit kontravers në RTK.

“Kam përshtypjen që nga jashtë nuk kuptohen procedurat e vendimmarrjes në RTK. Do të ishte ideale sikur të ishin sikur në sektorin privat. Bordi nuk mund të marrë as edhe një veprim të vetëm pa pasur propozim. Në rastin konkret bordi nuk mund të ndërmarrë asgjë pa e kryer punën e vet komisioni që është emëruar tashmë”, ka thënë Boletini.

Organizata të shumta të shoqërisë civile dhe aktivistë, kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit.

Ndërkohë, mbrëmë dorëheqje ka dhënë Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së përgjithshme në RTK’së.

Pa qëndrim edhe për Ligjin për KPM’në

Osmani nuk ka dhënë ndonjë qëndrim as për Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili u miratua para dy javësh në Kuvend. Ky ligj është cilësuar si sulm ndaj medias online dhe tendencë e Qeverisë për vendosje të kontrollit ndaj mediave.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka kërkuar Presidentes para një jave që të formojë qëndrim rreth këtij ligji, të ndajë me publikun dhe “të mos kufizohet vetëm tek roli i saj formal i dekretimit të ligjeve.

“Mediat e lira dhe pluralizmi medial janë gurëthemeli i një shoqërie demokratike dhe kur ky themel fillon të lëkundët seriozisht atëherë Presidentja e shtetit ka për obligim që të deklarohet publikisht. Nga Presidentja pritet që të deklarohet publikisht dhe të ndërveprojë me institucionet e tjera vendimmarrëse në mbrojtje të lirisë së medias dhe shtypit si bazament i një demokracie të shëndoshë të një shteti që aspiron integrimin në BE”, thuhet në reagim.

As një jave pas kërkesës, Osmani s’ka bërë publik qëndrimin e saj.

Reagime për këtë ligj ka pasur edhe nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, Misioni i OSBE-së në Kosovë, si dhe shumë prej përfaqësive të huaja diplomatike në Kosovë, duke vënë në pah që ligji nuk është në pajtim me standardet e Këshillit të Europes. 

Sulmi ndaj Valon Sylës, Osmani e vetmja që s’kishte reaguar

Sulmi ndaj gazetarit Valon Syla në prill të vitit të kaluar, ishte cilësuar si nga më i rëndi viteve të fundit në fushën e medias nga AGK’ja, mirëpo Presidentja Osmani s’e kishte parë të nevojshme të thotë ndonjë fjalë për të.

Osmani ishte e vetmja nga krerët e shtetit që nuk kishte reaguar për këtë rast, pavarësisht thirrjeve të avokuesve të lirisë së medias dhe të fjalës së lirë, për ta dënuar sulmin.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ishte prej të parëve që reagoi, me t’u raportuar se Syla ishte sulmuar rreth mesnatës para hyrjes të një restoranti në Prishtinë. Kryeministri Albin Kurti, mesditën e nesërme, e kishte hapur mbledhjen e Qeverisë, duke e dënuar dhe konsideruar sulmin si “të patolerushëm” dhe “të papranueshëm”

Flutura Kusari, zyrtare ligjore e Qendrës Evropiane të Lirisë dhe Shtypit dhe Medias, me bazë në Gjermani, e kishte cilësuar shokuese heshtjen e presidentes, duke theksuar se e njëjta është juriste me profesion.

“Është shokuese, Presidentja jonë, juriste me profesion, njohëse e shkëlqyer e të Drejtave të Njeriut, ka punuar në Këshill të Evropës, e njeh Konventen [Evropiane të të Drejtave të Njeriut] ndoshta më së miri në Kosovë dhe e di saktësisht se pritet prej një njeriu që ka atë pushtet me bo kur të gjakoset një gazetar. Dhe, nuk po del me reagu, me thanë që e dënoj sulmin”, kishte thënë Kusari.

Ajo kishte shtuar se “heshtja është aprovim”.

Për mos dënimin e sulmit nga Presidentja, kishte folur edhe vetë gazetari Syla, që aludonte se ajo nuk po deklarohet shkaku i inateve nga kritikat që ia kishte bërë. 

“Presidenca është e krejt kosovarëve, unë jam qytetar i Kosovës. Unë mundem mos me e dashtë Prindonin [burrin e Presidentes, Prindon Sadriun], mundem me e kritiku zonjën Osmani. Por, ajo është Presidente e imja dhe e gjithë qytetarëve që e kanë pasaportën si timen. Dhe, ajo nuk guxon me ra pre e inateve fëmijërore, personale. Kaq mund të them. A reagon, a s’reagon, për mua nuk është me rëndësi. Është me rëndësi për Kosovën”, kishte thënë Syla.

Heshtje edhe ndaj sulmeve të Prindonit e Velës kundër mediave

Presidentja Osmani nuk ka bërë zë as kur bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, kishte përdorur gjuhë denigruese ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë të martën duke i quajtur ato “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijëra dollarë)”, kishte shkruar Sadriu në Facebook pas raportimeve për kompensimin për udhëtim që kishte marrë Osmani në kohën sa ishte deputete.

Presidentja ishte pyetur për këtë deklaratë në një intervistë, ku kishte thënë se postimi i Sadriut ishte nxjerrë nga konteksti.

“Ai e qartëson shumë mirë, që në asnjë moment nuk i ka quajtur mediat ‘ndërmarrje kriminale’. Mjafton bre ta lexojnë. Mjafton ta lexojnë. Nuk i ka quajtur mediat ndërmarrje kriminale, mjafton ta lexojnë”, kishte thënë Osmani.

Edhe ish-Shefi i Stafit të saj, Blerim Vela, kishte përdor gjuhë të njëjtë ndaj mediave për shkak të raportimeve për mundësinë e rrëzimit të Osmanit si presidente.

Vela në një postim skandaloz në Tëitter, kishte thënë se raportimet e medieve të Kosovës “janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhën në listën e zezë të SHBA-së”.

Shpërndaje në

U Kopjua