Live

Osmani flet për masat e BE-së ndaj Kosovës: Javëve të fundit disa shtete kanë kërkuar të mbeten masat

20:25 / 08 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Presidentja Vjosa Osmani, deklaroi se javëve të fundit janë njoftuar se disa shtete kanë kërkuar të mbeten në fuqi masat e Bashkimit Europian të vendosura ndaj Kosovës në vitin 2023

Ajo theksoi se Gjermania është pro heqjes së masave.

“Qëndrimi i Gjermanisë është qartë pro heqjes së masave. Ketë e kanë bërë publik disa herë, dhe ka qenë një ndër shtetet që më së shumti kanë insistuar që të heqen masat tash e sa kohë. Ky duhet të jetë vendim unanim i BE-së, dhe javëve të fundit jemi njoftuar se herë një shtet herë një tjetër kanë kërkuar të mbeten masat për shkak të pakënaqësive të tyre për arsye të ndryshme”- u shpreh ajo në një inervistë për “Kallxo Përnime”.

Osmani nuk ka pranuar të përmendë këto shtete duke thënë se për shkak të diskrecionit diplomatik është më mirë të mos përmenden.

“Ne na duhet me i bindë ato shtete dhe jo me i sulmu”,  ka thënë ajo.

Ndërsa, u shpreh që “nuk ka takim, nuk ka angazhim, nuk ka telefonatë, nuk ka samit ndërkombëtar që kjo nuk është çështja themelore të cilën e diskutoj”.

Sipas Osmanit, ndonjëherë për shkak të mospajtimeve të vogla bllokohet vendimmarrja për ketë çështje në BE.

“Ka shumë sentiment kundër brenda Bashkimit Europian, sepse përkundër faktit që Kosova është 100% në linjë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian, qoftë politika të sanksioneve, qoftë vendime të tjera që i merr BE-ja, nganjëherë mezi presin një mospajtim sado të vogël me e gjetë që me u blloku vendimmarrja”, ka thënë ajo.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët e rinj nisën punën e tyre në komunat në veri, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë.

Shpërndaje në

U Kopjua