Presidentja Vjosa Osmani e ka cilësuar frymëzim për gjeneratat që vijnë mjeshtrin kinematografik, Dhimitër Anagnosti, në telegramin ngushëllues ndaj familjarëve të tij.
“Ai ishte një prej figurave më të shquara të artit tonë, i cili me krijimtarinë e tij prej disa dekadash pasuroi kulturën kombëtare, duke i dhënë dinjitet dhe identitet kinemasë shqiptare në botë. Veprat e tij, të ngulitura thellë në kujtesën e publikut, mbeten dëshmi e përhershme e talentit, guximit intelektual dhe përkushtimit të tij për artin dhe shoqërinë. Trashëgimia e tij e çmuar do të mbetet përherë pjesë e kujtesës kolektive dhe frymëzim për gjeneratat që vijnë.”, thuhet në telegramin ngushëllues.
Regjisori Dhimitër Anagnosti vdiq dje në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur në kinemanë shqiptare. Ai ishte një prej themeluesve dhe figurave më të rëndësishme të kinemasë shqiptare dhe ka realizuar shumë filma artistikë dhe dokumentarë që trajtojnë tema shoqërore, historike dhe psikologjike.
Anagnosti ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si regjisor, skenarist, shkrimtar dhe më vonë edhe si politikan.
Gjatë karrierës së tij 40-vjeçare, ai realizoi 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, fitoi mjaft çmime në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe është autor i 15 skenarëve, shumica e të cilëve i ka shkruar vetë.
Ai është nderuar me titullin “Nderi i Kombit” nga presidenti në vitin 2011, duke u vlerësuar si një nga regjisorët më të shquar të kinematografisë shqiptare.
