Live

Osmani: Zbardhja e vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit është obligim i yni

14:18 / 21 Shtator 2024

Nga Kosova Live

Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar kolonelin Ahmet Krasniqi, në 26 vjetorin e vrasjes së tij. Ajo ka thënë se sot kujtojmë me respekt atdhetarin, simbolin e guximit dhe sakrificës, komandantin e parë të Forcave të Armatosura të Kosovës, njëherësh ministër i Mbrojtjes i Kosovës.

“Sot nderojmë jo vetëm njeriun, por vlerat që ai mishëroi: trimërinë, qëndrueshmërinë dhe angazhimin e palëkundur për lirinë e Kosovës. Koloneli ishte një udhëheqës ushtarak dhe vizionar që besonte thellë në lirinë e Kosovës”, ka shkruar Osmani në profilin e Presidencës në Facebook.

Ajo ka thënë se kolonel Krasniqi u vra në mënyrë të pabesë dhe ishte viktimë e një akti të mjerë që u përpoq ta godasë përpjekjen për lirinë e Kosovës.

“Kolonelin e vranë, por jo ëndrrën për Kosovën e lirë dhe trashëgiminë e tij, ndaj zbardhja e vrasjes së tij është obligim i yni. Qoftë i përhershëm kujtimi për kolonel Ahmet Krasniqin!”, ka shkruar tutje presidentja.

Ahmet Krasniqi u vra më 21 shtator të vitit 1998 pak para mesnate në Tiranë. Ai ishte ministër i Mbrojtjes në qeverinë e Kosovës në ekzil, e cila atëkohë drejtohej nga Bujar Bukoshi.

Shpërndaje në

U Kopjua