Live

Pacolli: Së bashku jemi më të ditur e më të fortë – Kosova mbi të gjitha

17:06 / 19 Mars 2023

Nga Kosova Live

Kryetari i Aleancës Kosova e Re Behgjet Pacolli, ka reaguar pas dakordimit të zbatimit të marrëveshjes së 27 shkurtit në Bruksel.

Pacolli tha se duhet të t’i lënë anash inatet e lavdatat dhe së bashku t’i drejtohemi të ardhmes.

“Kosova mbi të gjitha”, theksoi ai.

Të shtunen në Ohër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, u dakorduan që të zbatojnë marrëveshjen e 27 shkurtit.

Takimi mes tyre u mbajt me ndërmjetësimin e kryediplomatit të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe atij amerikan Gabriel Escobar

Postimi i plotë i Pacollit:

Tani është tepër vonë për të vajtuar apo lavdëruar atë që ndodhi, e djeshmja nuk ishte një ëndërr por një realitet. Në këtë situatë të re, t’i lëmë mënjanë (për një moment) analizat e rrethanat pse e si ndodhi, inatët e lavdatat dhe ti drejtohemi së ardhmes.

Nuk besoj se ka njeri në Kosovë që nuk i pëlqen perspektiva paqësore e rrugëtimit tonë.

U bëj thirrje të gjitha partive politike, shoqërisë civile dhe çdo qytetari që të mbështes qeverinë në zbatimin me përgjegjësi të detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje.

Nga ana tjetër, kryeministri duhet të kuptojë se bashkëpunimi me faktorë të tjerë në Kosovë është i pashmangshëm. Së bashku jemi më të ditur dhe më të fortë.
Kosova mbi të gjitha!

Shpërndaje në

U Kopjua