Live

Pandeli Majko për Bukoshin: Kosova e humbi një politikan të dorës së parë dhe protagonist të historisë së saj

12:34 / 10 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka reaguar në lidhje me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshi, duke thënë se i njëjti si kryeministër i parë ‘‘Republikës së Kosovës ka qenë një njeri që tejkaloi veten”.

Majko ka deklaruar edhe se, Bukoshi ka pasur një jetë të paprecedentë për të parë të gjitha të vërtetat që një individ mund të duroj, dhe se, i njëjti është ‘‘ndër të vërtetat që ka prodhuar historia e Kosovës’’.

‘‘Kopja tingëllon si një melodi e kënduar nga një fëmijë, e kompozuar nga dikush tjetër! Sot, Kosova ka humbur një politikan të dorës së parë i cili nuk imitoi askënd’’, ka shkruar ai mes tjerash.

Ish kryeministri shqiptar ka thënë edhe se, me Bukoshin, Kosova e ka humbur një politikan të dorës së parë.

Postimi i plotë:

Bujar Bukoshi ka ndruar jetë! Kryeministri i parë i Republikës së Kosovës ka qenë një njeri që tejkaloi veten!

Vdekja për cilindo është ajo që ndodh në fund! Për Bujarin, është stacioni i fundit për të kuptuar si bëhet njeriu ai që është!

Bujar Bukoshi ishte një zgjedhje e mençur e Ibrahim Rugovës në rrugën e vështirë që Kosova kishte përpara! Edhe për këtë arsye Bujari u bë kryeministri Bukoshi i cili pati një jetë të paprecedentë për të parë të gjitha të vertetat që një individ mund të duroj!

Bujar Bukoshi ishte kryeministër i një shteti që nuk ekzistonte duke qenë një “lajmës” i çuditshëm për atë që po vinte për Kosovën!

E shkuara është peshë! Nuk mund të “notosh” po nuk e mbajte mbi shpinë!

Në kohët kur duket se na përkufizojnë gënjeshtrat dhe sekretet, Bujar Bukoshi është ndër të vërtetat që ka prodhuar historia e Kosovës!

Kopja tingëllon si një melodi e kënduar nga një fëmijë, e kompozuar nga dikush tjetër! Sot, Kosova ka humbur një politikan të dorës së parë i cili nuk imitoi askënd!

Për Bujar Bukoshin, meritat vlejnë më shume se dobësitë e tij! Ai kishte bërë paqe me veten dhe të kaluarën!

Sot, Kosova ka humbur një protagonist të historisë së saj! Lamtumirë Bujar!

Shpërndaje në

U Kopjua