Live

Pas eliminimit nga Liga e Evropës, Prishtina kërkon sukses në Ligën e Konferencës

09:56 / 24 Korrik 2025

Nga Kosova Live

FC Prishtina sot do të përballet me ekipin nga Irlanda e Veriut, FC Larne, në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Konferencës.

Ndeshja do të nisë nga ora 21:00, dhe zhvillohet në stadiumin Ballymena Showgrounds, në Irlandë të Veriut, raporton Klankosova.tv.

Skuadra e Prishtinës është eliminuar në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës, ndonëse në ndeshjen e dytë shënoi fitore ndaj Sheriff Tiraspolit.

Prishtina mposhti skuadrën e njohur moldave me rezultat 2:1. Megjithatë, për shkak të disavantazhit 4:0 nga ndeshja e parë në Tiraspol, ishte Sheriffi ai që siguroi kalimin në raundin e dytë të Ligës së Evropës.

Pavarësisht eliminimit, Prishtina do të vazhdojë rrugëtimin evropian në Ligën e Konferencës, ku do të paraqitet në raundin e dytë kualifikues.

Ndeshja e kthimit kundër Larnes zhvillohet më 31 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Në rast të kalimit në raundin e tretë të Ligës së Konferencës, bardhekaltrit do të ballafaqohen me fituesin e duelit Santa Clara nga Portugalia dhe NK Varazdin nga Kroacia.

Shpërndaje në

U Kopjua