Live

PDK do t’i drejtohet Kushtetueses për vendimin e ZRrE-së për tregun e lirë të energjisë

14:35 / 18 Gusht 2025

Nga Kosova Live

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se do të dorëzojë këtë javë një ankesë në Gjykatën Kushtetuese, për të kundërshtuar vendimin e ZRrE-së, që detyron mbi 1 mijë e 300 biznese të kalojnë në treg të lirë të energjisë.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i partisë së lartpërmendur, Memli Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ku thotë se përmes kësaj ankese do të kërkojnë masë të përkohshme, në mënyrë që ky vendim siç thotë ai, i dëmshëm të mos zbatohet deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.

“Ky nuk është vetëm një proces gjyqësor. Është një betejë për të mbrojtur bizneset tona, ekonominë e vendit, punëtorët tanë dhe familjet e tyre nga një abuzim i pashembullt i pushtetit, i cili i ka detyruar qytetarët dhe ndërmarrjet të blejnë energji me çmime 280% më të larta – vetëm për të mbushur xhepat e kompanive të licencuara nga qeveria”, ka shkruar Krasniqi, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ai thotë se PDK do të jetë deri në fund në krah të ndërmarrësve dhe qytetarëve të Kosovës, për ta ndalur këtë padrejtësi të madhe dhe për të mbrojtur interesin publik.

Shpërndaje në

U Kopjua