Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian bënë thirrje për respektimin e sovranitetit, tërësisë tokësore dhe rendit kushtetues të Bosnjës dhe Hercegovinës, mes përgatitjeve të përfaqësuesve serbë për kremtimin e ditës së Republikës Serbe, që është shpallur jokushtetuese dhe paralajmërimeve për shkëputjen e këtij entiteti.
Kremtimet mbahen në shenjë kujtimi të 9 janarit të vitit 1992 kur serbët e Bosnjës shpallën krijimin e shtetit të tyre, duke filluar luftën shkatërruese katërvjeçare, që la pas vetes mbi 100,000 të vrarë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian theksuan se Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Hercegovinës ka vendosur në disa raste se kremtimi i Ditës së Republikës Serbe është jokushtetues dhe se ky vendim është i mbështetur në ligjet e vendit.
Duke theksuar se të gjitha entitetet janë të detyruara të respektojnë plotësisht vendimet e institucioneve të Bosnjës përfshirë vendimet detyruese dhe përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese, ambasada amerikane theksoi se mosrespektimi i këtyre vendimeve përbën një vepër penale.