Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se serbët e zhvendosur do të mund të udhëtojnë me autobusë për në Kosovë për të votuar për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
“Nga ana e komunitetit ndërkombëtar, Beogradi mbrëmë mori një garanci të qartë dhe të fortë se nuk do të ketë asnjë ndryshim në procedurat ekzistuese për hyrjen e serbëve të zhvendosur brenda vendit për të votuar dhe se do t’u mundësohet që pa pengesa, pa ndalime dhe pa shqetësime të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës”, tha Petkoviq.
Ai shtoi gjithashtu se partnerët ndërkombëtarë i konfirmuan Beogradit se përfaqësuesit e tyre do të jenë të pranishëm të dielën e 9 shkurtit në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë për të siguruar hyrjen e serbëve në Kosovë për të votuar.
Mediat në Kosovë raportuan se autobusëve me serbë që do të vijnë për të votuar nuk do t’iu lejohet hyrja, përveç nëse janë pjesë e linjave të rregullta ose nëse kërkojnë leje nga institucionet përkatëse si dhe mund të hyjnë vetëm transportuesit që kanë linja të regjistruara për transport ndërkombëtar, raporton REL.
Kosova mban zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt dhe të drejtë vote kanë mbi 2 milionë votues brenda dhe jashtë vendit.
Në garë për përbërjen e re parlamentare janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur.
SONDAZH
![Loading ... Loading ...](https://kosovalive.net/wp-content/plugins/wp-polls/images/loading.gif)