Presidenti i porsaemëruar i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, tha të enjten se do të formojë një qeveri gjithëpërfshirëse të tranzicionit që i përfaqëson komunitetet e llojllojshme dhe që do të ndërtojë institucione e do ta udhëheqë vendin derisa të mund të mbahen zgjedhjet e lira dhe të drejta.
Sharaa iu drejtua kombit në fjalimin e tij të parë që nga emërimi president për periudhën kalimtare të mërkurën nga fraksionet e armatosura që e rrëzuan nga pushteti ish-presidentin Bashar al-Assad në një ofensivë të shpejtë vitin e kaluar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Grupi i armatosur që e udhëhoqi ofensivën, Hayat Tahrir al-Sham, prej asaj kohe ka themeluar një qeveri të përkohshme që ka mirëpritur një varg telegacionesh të larta perëndimore e arabe që janë shprehur të gatshme për ta ndihmuar stabilizimin e vendit pas luftës civile 13-vjeçare.
Në fjalimin e tij, Sharaa tha se do të formonte një organ të vogël legjislativ për ta mbushur boshllëkun parlamentar derisa të mbahen zgjedhjet e reja, pasi Kuvendi i Sirisë u shpërnda të mërkurën.
Ai tha se në ditët e ardhshme do ta njoftojë themelimin e një komisioni që do të përgatitej për mbajtjen e një konference kombëtare të dialogut, e cila do të shërbejë si platformë për sirianët që ta diskutojnë programin e ardhshëm politik të vendit.
Sipas tij, kjo do të pasohej nga një “deklaratë kushtetuese”, mësa duket referencë ndaj procesit të draftimit të një kushtetute të re siriane.
Në të kaluarën, Sharaa ka thënë se procesi i hartimit të kushtetutës së re dhe mbajtja e zgjedhjeve mund të marrin deri në katër vjet