Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump nënshkroi faljen e 23 protestuesve kundër abortit të enjten, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Në mesin e të falurve përfshihet grupi i individëve të dënuar për bllokimin e hyrjes së një klinike.
Ata ishin gjykuar për komplot në vitin 2020 për të marrë nën kontroll një klinikë të shëndetit riprodhues në Uashington dhe për të vendosur një bllokadë për të frikësuar pacientët dhe personelin.
Zyrtarët thanë se zbuluan pesë embrione në shtëpinë e një prej demonstruesve, Lauren Handy, pas ngritjes së aktakuzës ndaj saj.
“Ata nuk duhej të ishin ndjekur penalisht”, tha Presidenti Trump duke përmendur moshën e disa prej të dënuarve. “Është nder i madh të nënshkruaj këtë falje. Ata do të jenë shumë të lumtur”.
Faljet u bën ndërsa protestuesit kundër abortit u mblodhën në Uashington për tubimin tradicional “Marshimi për Jetën”.
Mijëra aktivistë kundër abortit duan të shfrytëzojnë situatën e favorshme të krijuar pas disa fitoreve dhe të vazhdojnë trysninë mbi ligjvënësit. Grupi ka bërë përpjekje për dekada që të përmbys vendimin e vitit 1973 të Gjykatës së Lartë që ktheu abortin në një të drejtë kombëtare. Në vitin 2022 Gjykata e Lartë hodhi poshtë vendimin e vitit 1973 duke thënë se iu takon shteteve individualisht të vendosin se si duan të rregullojnë çështjen e abortit. Organizatorët e marshimit tani janë përqendruar në betejat e shumta që po zhvillohen shtet pas shteti mbi çështjen e abortit. Me kthimin në pushtet të Presidentit Donald Trump dhe marrjen e shumicës në të dy dhomat e Kongresit nga republikanët, aktivistët kundër abortit duan të zgjerojnë fitoret e tyre.